Vuçiq bisedon me Lajçakun për situatën në Kosovë

Beograd, 5 dhjetor 2022 – Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se me të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka diskutuar për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, si dhe problemet me të cilat po përballen serbët e Kosovës “për shkak të lëvizjeve të njëanshme dhe jolegjitime të Prishtinës”.

Kështu shkroi ai më 5 dhjetor në profilin e tij në Instagram, pas takimit që pati me Lajçakun në Beograd.

“E theksova domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe respektimin e të drejtave dhe vullnetit të popullit tonë. Serbia është e vendosur të vazhdojë dialogun konstruktiv, me qëllim të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit dhe kushteve më të mira për jetën e të gjithëve qytetarëve”, ka shkruar Vuçiq.

Lajçak erdhi në Beograd pasi Beogradi zyrtar javën e kaluar kritikoi ashpër vendimin e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për të emëruar kreun e Partisë Demokratike Progresive, Nenad Rashiq, në postin e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.

Serbia e ka konsideruar këtë vendim si shkelje dhe ka thënë se Rashiq nuk përfaqëson serbët e Kosovës.

Pozita në të cilën është emëruar Rashiq, deri në fillim të nëntorit mbahej nga Goran Rakiq, i cili ka dhënë dorëheqje për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar targat ilegale serbe në veri të Kosovës. Për të njëjtën arsye, dorëheqje nga institucionet e Kosovës kanë dhënë edhe zyrtarë tjerë serbë nga veriu.

Më 1 dhjetor, Vuçiq, e ka quajtur Kurtin “llum terrorist”, dhe ka paralajmëruar se Serbia nuk do të marrë pjesë në samitin që organizohet më 6 dhjetor në Tiranë midis BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, që nuk janë pjesë e bllokut evropian

Për shkak të konflikteve të fundit me Qeverinë e Kosovës, pjesëmarrja e Presidentes së Serbisë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor është e pasigurt.

Samiti do të mbahet në Tiranë më 6 dhjetor.

(REL)