Nju Jork, 21 shtator 2022 – Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, tha se Serbia e mbështet tërësinë territoriale të Ukrainës, ndërsa i akuzoi vendet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës se, siç tha, “e kanë shkelur tërësinë territoriale të Serbisë”.
Ai tha se bashkëbiseduesve të tij ua shtron vazhdimisht pyetjen se ciliështë dallimi midis tërësisë territoriale të Ukrainës dhe tërësisë territoriale të Serbisë
“Ne kërkojmë një përgjigje të qartë në pyetjen që unë ua bëj prej vitesh bashkëbiseduesve të mi, udhëheqësve të shumë vendeve – cili është ndryshimi midis sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës dhe sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Serbisë, e cila është shkelur rëndë, kurse shumë prej jush i jepni njohje dhe legjitimitet ndërkombëtar? Unë kurrë nuk kam marrë një përgjigje racionale nga askush”, u shpreh ai.
Vuçiq e cilësoi si agresion ndaj Serbisë ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 që i dha fund shtypjes së shqiptarëve të Kosovës nga Serbia.
Duke folur për dialogun me Kosovën, Vuçiq tha se Serbia kërkon një zgjidhje me kompromis.
“Është një proces i vështirë, ka më shumë se dhjetë vjet që po vazhdon, por nuk shohim alternativë. Është më mirë të negociojmë njëqind vjet se sa të luftojmë një ditë. Jam i bindur se do të arrijmë një zgjidhje reciprokisht të pranueshme, të bazuar në kompromis, sepse kjo është absolutisht e vetmja mënyrë për të arritur qëllimin tonë, që është vendosja e paqes afatgjatë, si parakusht për një jetë të begatë për serbët dhe shqiptarët në rajonin tonë. Ne tashmë i kemi shteruar të gjitha mundësitë tjera dhe, të paktën për sa i përket Serbisë, nuk ëndërrojmë të kthehemi në shtigjet e konfliktit dhe gjakderdhjes. Rajoni i Ballkanit nuk mund të përballojë një konflikt tjetër”, tha ai.
Vuçiq i hodhi poshtë kritikat se Serbia, si aleate e ngushtë e Rusisë, përbën kërcënim për paqen dhe sigurinë në rajon, duke i quajtur ato “fushatë të ndyrë” kundër Serbisë.
“Serbia karakterizohet si një faktor potencial i destabilizimit në rajon, vetëm për të mos e thënë të vërtetën se parimi i paprekshmërisë së kufijve duhet të zbatohet njëlloj për të gjithë. Serbia ishte dhe do të jetë faktor stabiliteti në të gjithë rajonin”, tha ai.
Ai i hodhi poshtë edhe kritikat që i drejtohen Serbisë për shkak të qëndrimit ndaj sanksioneve kundër Rusisë, duke i cilësuar sanksionet si të padobishme.
“Serbia vlerëson se politika e sanksioneve kundër Federatës Ruse nuk mund t’i sjellë rezultate askujt”, u shpreh ai.
Duke folur për marrëdhëniet midis “popujve” të Ballkanit, Vuçiq i cilësoi si shembullore marrëdhëniet midis Serbisë dhe Shqipërisë.
“Serbia dhe Shqipëria sot kanë marrëdhëniet më të afërta dhe më miqësore se kurrë ndonjëherë në historinë e tyre të përbashkët shekullore në Gadishullin Ballkanik”, u shpreh ai.
Para Vuçiqit, pjesëmarrësve të sesionit të 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara iu drejtua Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Vuçiq nuk e fshehu brengën se fjala e tij nuk do të dëgjohej me interes pas asaj të Zelenskyt.
“Gjithçka që bëjmë ne këtu sot duket relativisht e zbehtë, kurse fjalët tona tingëllojnë si të thata dhe boshe në krahasim me realitetin. Ky realitet është se këtu nuk e dëgjon askush askënd, por i shikon vetëm interesat e veta”, u shpreh presidenti serb.
(Sipas Zërit të Amerikës dhe Danas.rs)