Beograd, 9 nëntor 2022 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dekoroi të mërkurën me medalje ish-drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Policisë së Mitrovicës së Veriut, Nenad Gjuriq, dhe shefin e Operacioneve Rajonale të kësaj drejtorie, Aleksandar Filipoviq.
Gjuriq dhe Filipoviq u nderuan me medaljen e artë për trimëri “Millosh Obiliq”, pasi refuzuan të zbatojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.
Duke ua dorëzuar medaljet në Presidencën e Serbisë, Vuçiq falënderoi Gjuriqin dhe Filipoviqin që, siç tha, “dëgjuan shtetin e tyre”.
“Keni bërë atë që jua donte zemra dhe keni vepruar me nder kur ju kanë penguar të kryeni detyrën, sepse as atëherë nuk keni dashur t’i shkelni ligjet”, tha Vuçiq.
Ai bëri të ditur se në dy ditët e ardhshme do të vizitojë Parisin, ku tha se do të takojë presidentin francez, Emmanuel Macron, dhe zyrtarë të tjerë evropianë, me të cilët do të bisedojë për, siç tha, situatën në Kosovë.
Vuçiq tha se autoritetet në Kosovë, duke zbatuar vendimin për riregjistrimin e makinave, kanë dashur të shkaktojnë incidente dhe të “poshtërojnë popullin serb”.
Ai nuk solli ndonjë provë që do t’i mbështeste këto pretendime.
Më 3 nëntor, autoritetet e Kosovës suspenduan Gjuriqin nga posti i drejtorit të policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, pasi ai refuzoi të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme.
Pas kësaj, edhe zyrtarë të tjerë serbë dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.
I pyetur nga gazetarët se cila është e ardhmja e personave të larguar nga institucionet e Kosovës, Vuçiq tha se ata do të punësohen në organet shtetërore të Serbisë.
“Askush nga ata 3.500 njerëz nuk do të mbetet në rrugë. Ne do të kujdesemi për të gjithë ata”, tha Vuçiq.
Që nga përfundimi i luftës, më 1999, në katër komunat në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe – Zveçan, Zubin Potok, Mitrovicë e Veriut dhe Leposaviq – qarkullojnë makina me targa të lëshuara nga autoritetet serbe, të cilat janë ilegale me ligjet në Kosovë.
Qeveria e Kosovës, me në krye Albin Kurtin, po përpiqet të bëjë riregjistrimin e tyre me targa RKS, apo Republika e Kosovës.
Por, shumica e pjesëtarëve të komunitetit serb në veri refuzojnë ta bëjnë këtë. Ata kanë edhe mbështetjen e Beogradit zyrtar, i cili këmbëngul në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.
Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja i kërkuan Kurtit shtyrjen e riregjistrimit të makinave, por, në vend të kësaj, Kurti doli me një plan prej tri fazash, i cili filloi të zbatohet më 1 nëntor dhe do të përfundojë në prill të vitit të ardhshëm.
Në fazën e parë, shoferët e makinave me targa të paligjshme qortohen, në të dytën gjobiten me 150 euro dhe në të tretën do t’iu kërkohet të pajisen me targa provuese.
Nga 21 prilli, ndërkaq, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.
(REL)