Vuçiq: Do të jem i stigmatizuar, por nuk do ta nënshkruaj njohjen e pavarësisë së Kosovës

Beograd, 29 maj 2021 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se ai nuk do ta nënshkruajë njohjen e pavarësisë së Kosovës, pavarësisht presionit të madh të cilin do të ballafaqohet.

“Unë do të jem absolutisht nën presionin më të madh, i etiketuar dhe i stigmatizuar, por, ja që po ju them, unë nuk do t’ua nënshkruaj njohjen e Kosovës së pavarur”, ka thënë Vuçiq, në mbledhjen e Këshillit  Drejtues të partisë së tij, Partisë Progresive Serbe.

“Serbia është pjesë e botës, por në qoftë se dikush mendon se do t’I nënshtrohem atij presioni mund t’ia përcjell se nuk do t’ua nënshkruaj njohjen e pavarësisë së Kosovës”, ka theksuar ai.

Vuçiq ka thënë se Serbia “dëshiron kompromis”, por ka theksuar se “ka vija të kuqe”.

Sidoqoftë, ai ka thënë se Serbia do të marrë pjesë në dialogun me Kosovën.

“Në qoftë se do t’i braktisnim bisedimet, ne do të ishim fajtorë për braktisjen e dialogut dhe për mosvazhdim të bisedimeve, për çka nuk e di as vet. Duhet të marrim pjesë në dialog, të jemi pjesë e botës”, është shprehur ai.

Vuçiq ka thënë se Serbia sot është në pozitë jashtëzakonisht të vështirë.

“Serbia sot është në një situatë që është jashtëzakonisht e vështirë, pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës’’, ka thënë ai

Vuçiq e ka akuzuar udhëheqjen e Serbisë të vitit 2008 se nuk kishte reaguar fare kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

“Në vitin 2008, kur shqiptarët morën vendimin për të lëvizur drejt një shteti me të vërtetë të pavarur, reagimi i shtetit serb ishte zero, sepse udhëheqja jonë e shtetit ishte thjesht e tillë”, ka thënë ai.

(r.m.)