Vuçiq: Do t’i kërkojmë KFOR-it vendosjen e forcave serbe në Kosovë

Beograd, 10 dhjetor 2022 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të shtunën se Serbia do t’u kërkojë forcave paqeruajtëse të NATO-s që ta lejojnë vendosjen e një numri trupash të ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë, duke theksuar se megjithatë, nuk asnjë mundësi që kjo kërkesë të miratohet.

Ai i bëri këto komente në një konferencë me gazetarë në Beograd në të cilën tha sa Seërbia do t’i shkruajë letër komandantit të forcave të KFOR-it, duke ju referuar Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në të cilën në kohën e miratimit të saj në qershor të vitit 1999, parashihej kthimi i një numri të personelit ushtarak dhe policor jugosllav për të kryer disa funksione si “ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë; shënjimin/pastrimi i fushave të minuara; mbajtjen e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe; mbajtjen e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare”.

Kosova atëbotë cilësohej pjesë e asaj që kishte mbetur nga ish Jugosllavia.

Nëntë vjet pas miratimit të Rezolutës 1244 Kosova shpalli pavarësinë e saj që njihet nga vendet kryesore perëndimore, por kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia.

Rezoluta përcaktoi edhe mandatin e forcave paqeruajtëse të NATO-s që kujdesen për sigurinë e Kosovës dhe që muajve të fundit kanë shtuar praninë në veriun e vendit, ku ndodhen edhe forcat e policisë së Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit.

Paralajmërimi i Beogradit, që është përsëritur disa herë ditëve të fundit nga zyrtarë serbë, nuk është komentuar nga autoritetet ndërkombëtare, ndërsa autoritetet në Prishtinë e kanë cilësuar si një kërcënim më agresion.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha të premten se ky është kërcënim i haur me aggression.

“Kërcënimi i hapur për agresion policor e ushtarak nga ana e Serbisë dëshmon se në atë shtet vazhdon mendësia hegjemoniste. Kjo duhet të refuzohet e kundërshtohet qartë nga e gjithë bota demokratike, e cila i dha goditjen më të fuqishme kësaj mendësie pikërisht në vitin 1999”, tha ajo.

Osmani theksoi se forcat serbe nuk do të kthehen kurrë më në Kosovë.

“Në territorin e Republikës së Kosovës kurrë më nuk do të ketë policë dhe ushtarë të Serbisë! Ëndrra hegjemoniste e Serbisë nuk do të jetësohet kurrë!”, shkroi ajo në Facebook.

(r.m.)