Beograd, 19 maj 2022 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se gjatë takimit me Presidentin e Komisionit Evropian, Charles Michel, të enjten në Beograd, është diskutuar edhe për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën.
Ai ka pranuar se Serbia nuk mund të ecë përpara në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian pa normalizimin e raporteve me Kosovën.
“Moti e kemi pranuar se duam të jemi pjesë e BE-së, por kërkesë e tyre ka qenë arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi. Tani të mos bëhemi si të marrë se kinse këtë gjë nuk e kemi ditur. E, kur është në pyetje se si mendojmë ta ruajmë vendin tonë, për një gjë të tillë do të bisedoj me Michelin sonte”, ka thënë ai.
Vuçiq e ka përsëritur edhe një herë dëshirën e tij për kompromis me Kosovën.
“E kuptoj gjithë shqetësimin dhe atë me çfarë përballen Michel dhe njerëzit në BE. Shpresoj se me ndihmën e BE-së do të arrijmë t’i afrohemi ndonjë zgjidhjeje me kompromis, në të ardhmen”, ka shtuar Vuçiq.
Por, ai nuk ka shpjeguar se çfarë e quan “kompromis”.
Vuçiq ka pranuar gjithashtu se Presidenti i Komisionit Evropian, Charles Michel, ka shprehur pritjet e Bashkimit Evropian që Serbia t’u bashkohet sanksioneve ndaj Rusisë.
“Michel shprehu shumë fuqishëm dëshirën dhe pritjet që Serbia t’u bashkohet sanksioneve ndaj Rusisë. Unë e njoftova me situatën tonë dhe me qëndrimet tona politike”, është shprehur ai.
(r.m.)