Vuçiq: E kam refuzuar propozimin e QUINT-it për “zgjidhje kompromisi”

Beograd, 21 shtator 2021 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbia kërkon “tërheqjen e të gjitha forcave të dërguara nga Prishtina në veri të Kosovës.

Vuçiq ka theksuar se Kosova duhet ta tërheqë vendimin për reciprocitetin në mënyrë që pastaj të bisedohet, siç është shprehur, “për të gjitha”.

“Kthim në gjendjen paraprake e pastaj shkojmë në Bruksel dhe bisedojmë për gjithçka”, është shprehur Vuçiq, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, të ftuar nga ai me urgjencë, pas vendosjes së reciprocitetit për target nga Qeveria e Kosovës.

Por, ai e ka kushtëzuar zbatimin e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes (për targat e automjeteve) me zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe në Kosovë. Madje, ka ushtruar presion edhe ndaj Bashkimit Evropian, si ndërmjetës i dialogut Kosovë- Serbi.

“Do të kërkojmë përgjigje (nga BE). Heshtja do të jetë sinjal i qartë se marrëveshja nuk ekziston dhe se nuk e dëshirojnë formimin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe atëherë të gjithë do të dijmë se nuk ekzsiton ajo (marrëveshja për targat). Palca e marrëveshjes është Asociacioni i Komunave Serbe”, ka theksuar ai, citon televizioni publik serb.

Vuçiq ka thënë se sot (e martë) në mëngjes ka biseduar me ambasadorët e pesë vendeve më të zhvilluara (SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francë dhe Italisë) dhe se ai e ka refuzuar, siç është shprehur, “të ashuquajturën zgjidhje kompromisi” të propozuar prej tyre.

“E kam refuzuar atë zgjidhje, sepse ajo nuk është zgjidhje kompromisi, por zgjidhje që do ta shkatërronte Serbinë”, ka thënë Vuçiq pa dhënë detaje për propozimin e ambasadorëve të QUINT-it.

“E kam refuzuar sepse jam ngopur me politikën e aktit të kryer. Me Serbinë nuk mund të flisni kështu”, ka theksuar Vuçiq, duke shtuar se për këtë e ka pasur edhe përkrahjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Presidenti i Serbisë i ka cilësuar si “të pashembullta” deklaratat e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që, siç është shprehur, “i barazojnë” Serbinë dhe Kosovën.

“I konsiderojmë të pashembullta deklaratat në të cilat njëjtësohen Beogradi dhe Prishtina”, ka thënë Vuçiq.

Presidenti serb vënë kushte edhe për vazhdimin e dialogut me Kosovën.

“Serbia dëshiron ta vazhdojë dialogun (me Kosovën), por nuk dëshiron të pranojë marrëveshje që burojnë nga aksionet kriminale”, ka thënë Vuçiq.

Sipas tij, Serbia angazhohet për paqe, siguri e stabilitet në Kosovë.

“Serbia do të vazhdojë të insistojë në ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë, por edhe sigurisë së plotë të popullatës serbe në Kosovë e Metohi”, ka thënë ai.

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë marrin pjesë: ministri i Punëve të Brendshme, Nebojsha Stefanoviq, ministri i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, kryeshefi i Shtatmadhorisë së Ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsiloviq, dhe drejtori i Agjencisë së Sigurisë dhe Inteligjencës, Bratislav Gashiq.

(r.m.)