Vuçiq e kritikon Perëndimin për dërgimin e tankeve në Ukrainë

Beograd, 3 shkurt 2023 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka vlerësuar si gabimin më të madh politik të Perëndimit vendimin për dërgimin e tankeve në Ukrainë, sidomos të tankeve gjermane.

Sipas tij, me këtë vendim, Perëndimi “e bashkoi popullin rus si askush më herët” në qëndrimin e tyre ndaj luftës në Ukrainë.

Vuçiq e ka bërë këtë deklaratë të premten, më 3 shkurt, ditën e dytë të seancës së Kuvendit të Serbisë, në të cilën pritet të miratohet raporti i Qeverisë së Serbisë lidhur me dialogun me Kosovën.

Vuçiq ka thënë se e respekton Rusinë, por nuk i shërben asaj.

“Unë e respektoj Rusinë, por nuk i shërbej Rusisë, i shërbej Serbisë”, ka thënë Vuçiq.

Më 25 janar, qeveria gjermane iu përgjigj thirrjeve të përsëritura të Kievit dhe e miratoi dërgimin e tankeve “Leopard 2” në Ukrainë, si edhe rieksportimin e tyre nga vendet partnere.

Të njëjtën ditë, presidenti amerikan, Joe Biden, njoftoi se SHBA-ja do t’i dërgojë në Ukrainë 31 tanke luftarake M1 “Abrams”.

Serbia, aleate e Rusisë, ka refuzuar t’u bashkohet shteteve perëndimore dhe Bashkimit Evropian për t’i vendosur sanksione Moskës, për shkak të luftës ndaj Ukrainës.

Zyrtarët në Serbi, megjithatë, kanë përsëritur në disa raste se e respektojnë integritetin territorial të Ukrainës. Po ashtu, Serbia ka votuar për disa rezoluta në Kombet e Bashkuara që e dënojnë pushtimin e saj.

(r.m.)