Beograd, 6 korrik 2021 – Presidenti i Serbisë, Alekander Vuçiq, ka deklaruar se e mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën, por nuk ka dashur të thotë se cilat janë arsyet për këtë mbështetje.
“Po, me entuziazëm dhe unë nuk do të shpjegoj arsyet”, ka thënë Vuçiq në TV Happy, transmeton Metro.
Vuçiq e bëri këtë deklaratë duke iu përgjigjur pyetjes nëse ai e mbështet ose jo liberalizimin e vizave për Kosovën.
Ai ka thënë se “njëri prej tyre” i ka thënë atij se e di përse Serbia ishte pro liberalizimit të vizave për Kosovën dhe se ai ka replikuar se kjo ndodh për shkak të “integrimit europian” të tyre.
Kjo është deklarata e parë e Beogradit në përkrahje të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, ndonëse ajo nuk ka ndonjë vlerë.
Për liberalizimin e vizave vendos Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian. Vendimi merret me consensus të plotë të të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Gjermania dhe disa vende tjera të unionit janë deklaruar pro liberalizimit, por ka ende vende që janë skeptike se Kosova i ka përmbushur kriteret përliberalizim.
Në krye të vendeve skeptike, të cilat vlerësojnë se Kosova nuk ka bërë mjaft në fushën e sundimit të ligjit dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, janë Holanda dhe Franca.
(r.m.)