Vuçiq e mbron grupin terrorist të Radoiçiqit: “Ata deshën t’i mbronin vatrat e tyre”

Beograd, 24 janar 2024 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka amnistuar grupin e paramilitarëve serbë që e kreu sulmin terrorist në Banjskë, në pjesën veriore të Kosovës. më 24 shtator. Ai ka thënë se pjesëtarët e këtij grupi “deshën t’i mbronin vatrat e tyre” në Kosovë.

Vuçiqi ka reaguar ashpër ndaj gazetarit që e ka pyetur nëse Serbia do ta fillojë ndonjë hetim lidhur me armatimin e kontrabanduar në Kosovë. Ai e ka relativizuar armatimin e gjetur në Banjskë, pas sulmit të grupit paramilitar të udhëhequr nga Milan Radojçiqi, mdërsa e ka akuzuar Kosovën për blerjen e armëve.

“Thonë se në Banjskë ka pasur armë, pushkë, granata dore, raketa. Mirëpo, ata sollën ‘Vuran’, ‘Javelin’, e nuk e di çfarë tjetër. Të gjitha këto i sollën ilegalisht. Ju nuk jeni të interesuar se çfarë po bëjnë të huajt kundër Serbisë, çfarë po bëjnë shqiptarët kundër Serbisë, çfarë po bën Kurti kundër Serbisë. Juve ju intereson se si ta ndëshkoni Serbinë, sepse disa serbë deshën t’i mbronin vatrat e tyre”, ka thënë ai.

Vuciqi ka thënë se ai është duke menduar edhe të inicojë hetime ndaj shteteve që janë duke e furnizuar FSK-në me armë.

“Unë po mendoj se si të nis një hetim për armatosjen e të ashtuquajturës Forca e Sigurisë së Kosovës, që po i armatosin shqiptarët në kundërshtim me Rezolutën 1244 dhe po e shkelin Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe si po mendojnë se kurrë nuk do të japin përgjegjësi për këtë”, është shprehur ai.

(r.m.)