Beograd, 11 dhjetor 2022 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e cilësoi shtetin e Kosovës krijesë “monstrum” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Ata e përkundin fëmijën e tyre dhe e mbrojnë fëmijën e tyre shqiptar që e kanë krijuar. Ata, së bashku me disa vende të tjera, e krijuan një monstrum 23 vjet më pare, kurse e përfunduan 14 vjet më parë, në vitin 2008”, u shpreh Vuçiq, në televizionin publik të Serbisë.
Ai tha se për këtë arsye e ka pritur dhe e kupton kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për heqjen e barrikadave të vendosura nga serbët në pjesën veriore të Kosovës dhe për ndërprerjen e kërcënimeve me dhunë, të shprehura nga ambasadat amerikane në Prishtinë dhe në Beograd.
E megjithatë, ai theksoi se është “shumë i zhgënjyer” nga mesazhi i Shteteve të Bashkuara.
Vuçiq tha se askush në Beograd nuk ka urdhëruar vendosjen e barrikadave.
“Së pari, askush në Beograd nuk ka urdhëruar vendosjen e barrikadave. Mos e sulmoni Serbinë. Ata thonë se Serbia është fajtore sa here që ndodh diçka në veri (të Kosovës). Ndërkaq, kur shqiptarët bëjnë diçka në veri na thonë; ‘Çka ka të bëjë kjo me Serbinë? Kjo po ndodh në Kosovë, në një shtet tjetër’”, u shpreh Vuçiq.
Ai tha se shqiptarët nuk kanë përse ankohen për barrikadat, sepse ata nuk lëvizin nëpër ato rrugë.
„Ato (barrikadat) nuk ia kufizojnë lëvizjen asnjë shqiptari. Asnjë shqiptar nuk lëviz andej”, tha Vuçiq, duke shtuar se barrikadat janë shprehje e protestës së serbëve.
“Kjo është shprehje e protestës për arrestimin dhe keqtrajtimin e njerëzve (serbëve), për moszbatimin e Marrëveshjes së Brukselit”, tha ai dhe shprehu solidaritetin e tij me ata që kanë vendosur barrikada.
“Është obligim i imi vetëm të jem me ta”, tha Vuçiq.
Sipas tij, KFOR-i dhe EULEX-i kanë siguruar autoritetet serbe se Policia e Kosovës nuk do të ndërhyjë me forcë për heqjen e barrikadave.
“Unë shpresoj se kemi garancitë e KFOR-it dhe EULEX-it se nuk do të ndërmarrin aksione të dhunshme kundër demonstruesve dhe shpresojmë se kështu do të jetë. Ne do tëvazhdojmë të bisedojmë me ta. Kjo është puna jonë. Do të bëjmë gjithçka për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit”, u shpreh Vuçiq.
Ai u bëri thirrje serbëve që “të kenë besim te KFOR-i dhe EULEX-i, derisa nuk dëshmohet ndryshe në terren”.
“Nuk bën të ndodhin sulme ndaj KFOR-it dhe EULEX-it. Kjo është ajo çfarë duan shqiptarët – ta krijojnë gjithë tregimin, sepse nuk kanë tjetërçka t’i tregojnë botës”, tha ai.
Vuçiq ka këshilluar serbët që të jenë të kujdesshëm dhe të mos bien pre e ‘provokimeve të shqiptarëve”.
Natyrisht, edhe këtë herë drejtoi akuza të rënda në adresë të institucioneve shtetërore të Kosovës dhe, veçanërisht, të Kryeministrit Albin Kurti. Sipas tij, Kurti synon që, siç u shpreh, “të zgjidhë një herë e përgjithmonë çështjen e serbëve në Kosovë”.
(r.m.)