Shkup, 29 korrik 2021 – Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në fjalën e tij në Forumin Ekonomik Rajonal, në Shkup, ka folur për përmirësimin e marrëdhënieve mes tyre prej takimit të tyre të parë.
Vuçiq ka thënë se, asokohe, ai dhe Rama shiheshin si armiq dhe e sulmonin njëri-tjetrin për politikë të brendshme, por tani gjërat kanë ndryshuar.
“Më kujtohet takimi i parë me Edin, në vitin 2015. Dy armiq që vijnë tek njëri-tjetri, duke gjetur justifikime të mjaftueshme për të ofenduar palën tjetër, duke mos kërkuar bashkëpunim real dhe duke bërë gjëra që na jepnin pikë politike Brenda, por vetëm kaq. Sot nuk duam t’ia dimë për këtë. Duam t’ia dimë vetëm për të ardhmen e përbashkët”, është shprehur Vuçiq.
Në të njëjtën mënyrë është shprehur edhe Rama. Ai ka thënë se dikur ata ishin gati të hynin në luftë edhe për një ndeshje futbolli.
“Ishte një kohë që mund të hynim në luftë për një ndeshje futbolli dhe sigurisht që ishte një takim shumë i vështirë. Kjo nuk nënkupton se ramë dakord për Kosovën apo se do të biem sot, por si mund të jetë kjo pengesë për të formuar ekonomitë tona”, është shprehur Rama.
Vuçiq e Rama kanë shkëmbyer ndërmjeti veti edhe batuta edhe në lidhje me çështjen e njohjes së Kosovës nga Serbia.
“Të dashur miq, unë nuk e di se si do të përgjigjet Edi për këtë, por unë e mbështes menjëherë çfarëdo që thotë ai, e mbështes njëqind për qind të asaj që e thotë ai. Që ta dini paraprakisht: çdo fjalë që do të thotë ai do t’i përgjigjem: ‘Në rregull Edi. Le ta nënshkruajmë’”, është shprehur Vuiq.
Ndërsa Rama iu përgjigj:
“Tani ai do që unë të them ta njohë Kosovën, por ai nuk do ta mbështesë. Por, pyetja m’u bë mua, sepse, ma ha mendja, Markos, si një njeri i aftë për të bërë marrëveshje mes vendeve, kombeve e komuniteteve të biznesit, i duket argëtuese të më bëjë mua të flasë për Bashkimin Evropian. Ne do të nënshkruajmë sot marrëveshjen për lejet e punës. Serbia dhe Maqedonia e Veriut duhet të ndryshojnë legjislacionin e tyre”, është shprehur Rama.
(r.m.)