Vuçiq: Heqja e barrikadave do të nisë të enjten në mëngjes

Beograd, 28 dhjetor 2022 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se heqja e barrikadave në veri të Kosovës do të nisë të enjten në mëngjes, raporton Radio Evropa e Lirë.

“Për 24 orë apo 48 orë do të hiqen barrikadat”, tha ai, pas takimit me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova.

Vuçiq i lexoi konkluzionet e përfaqësuesve të serbëve nga veriu i Kosovës lidhur me heqjen e barrikadave.

“Besimi i serbëve në institucionet diskriminuese të Prishtinës nuk ekziston, dhe është i pamundur të arrihet. Ne nuk kemi besim te [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti, dhe nuk mund të kemi. Nëse vazhdojnë arrestimet dhe terrori kundër popullit serb, do ta mbyllim përgjithmonë veriun e Kosovës për institucionet diskriminuese të Prishtinës. Pastaj, do të vendosim barrikada që nuk do të hiqen kurrë dhe që për Prishtinën ato do të jenë një kufi që nuk do të kalohet kurrë”, u tha në deklaratën që e lexoi Vuçiq.

Presidenti serb tha se në deklaratë kërkohet nga ai që “të mos ketë njohje të pavarësisë së Kosovës, në asnjë formë, sepse Kosova është territor i Serbisë”.

I pyetur nga gazetarët për kthimin e serbëve të veriut në institucionet e Kosovës, Vuçiq tha se “heqja e barrikadave nuk ka të bëjë me këtë çështje”. Sipas tij, kjo do të kushtëzohet me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Kthimi në institucione kushtëzohet me Marrëveshjen e Brukselit, e cila flet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha ai.

Vuçiq i takoi përfaqësuesit e serbëve nga Kosova të mërkurën, në mbrëmje vonë, në kazermën e Ushtrisë Serbe në Rashkë, afër kufirit me Kosovën.

Në këtë takim mori pjesë edhe nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i cili është nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, për shkak të dyshimeve për përfshirje në krim të organizuar ndërkombëtar dhe korrupsion.

(r.m.)