Vuçiq ka biseduar me sekretarin Blinken për dialogun Kosovë – Serbi

Beograd, 1 shkurt 2023 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të mërkurën në mbrëmje, ka zhvilluar një bisedë telefonike me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, njoftoi kabineti i Vuçiqit.

Sipas njoftimit, Vuçiq e Blinken kanëbiseduar për situatën në Kosovë, për  rrugën evropiane të Serbisë dhe për marrëdhëniet midis Serbisë dhe SHBA-së.

“Bashkëbiseduesit shkëmbyen qëndrimet lidhur me dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, ndërsa presidenti Vuçiq theksoi sidomos se paqja dhe stabiliteti në mbarë rajonin dhe e ardhmja e sigurt ekonomike janë objektivat kyçe për të gjithë ata që jetojnë në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, të dy palët janë pajtuar se Serbia dhe SHBA kanë mundësi shumëfish më të mëdha për avancimin e partneritetit dhe për bashkëpunimin dypalësh në fusha të ndryshme.

 Biseda e Vuçiqit me Blinkenin u zhvillua një ditë para seancës për Kosovën  në Parlamentin e Serbisë. Në këtë seancë pritet që deputetëve t’u prezantohet një raport për dialogun e deritashëm mes Kosovës e Serbisë. Por, në këtë raport nuk pritet të përfshihet plani evropian për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë, i njohur si “plani franko-gjerman”.

Ky plan, i cili është mbështetur edhe të SHBA-së, synon të ndihmojë palët të ecin drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve midis dy vendeve.

Të mërkurën gjatë ditës, Vuçiq ka deklaruar se nuk ka një afat kohor për pranimin e këtij plani, për të cilin ka thënë nuk beson që “dikush në Serbi do të jetë i lumtur me këtë plan”.

Po të mërkuren, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se plani evropian është një bazë e mirë për të shkuar drejt një marrëveshjeje finale.

(r.m.)