Vuçiq: Kërkesa e Kosovës për anëtarësim në NATO nuk është aspak naive

Beograd, 28 shkurt 2022 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se për momentin nuk mund të vlerësojë se sa real është rreziku që Kosova të bëhet anëtare e NATO-s, por shtoi se kërkesa e Kosovës për anëtarësim në Aleancën Veri-Atlantike “nuk është aspak naive”, raporton Radio Evropa e Lirë

Vuçiq tha se për këtë ide ka dëgjuar rreth gjysmë viti më parë nga shërbimet e sigurisë serbe.

Ai tha se kjo është ide e “lobistëve shqiptarë, e disa politikanëve të Bashkimit Evropian dhe të Amerikës që t’i detyrojnë vendet e BE-së që janë anëtare të Aleancës [së NATO-s] dhe që nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë këtë”.

Vuçiq tha se kjo mund të jetë “një justifikim për disa që të thonë se duhet ta njohin Kosovën, sepse nuk kanë rrugëdalje tjetër” dhe se “nuk mund të jenë kundër kësaj”.

“Kjo do të ishte një përpjekje për të na vënë përpara aktit të kryer, për të na thënë: ‘ju jeni të vetmit që keni mbetur për ta njohur pavarësinë e Kosovës”, u shpreh Vuçiq.

Katër vendet e BE-së e po ashtu edhe të NATO-s që nuk e kanë njohur Kosovën janë: Greqia, Spanja, Sllovakia dhe Rumania. Qiproja është një tjetër vend i BE-së që s’e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, tha të dielën se anëtarësimi i shpejtë i Kosovës në NATO është nevojë urgjente për garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon Kosovë dhe në gjithë rajonin.

Mehaj tha se bota përballen me një sfidë serioze për sigurinë, pas agresionit të rëndë të Rusisë ndaj Ukrainës.

“Ekziston nevojë e madhe që vendet demokratike të ndërmarrin hapa vendimtarë dhe të bashkohen përballë një sfide të tillë. Kosova ka treguar një përkushtim të fuqishëm ndaj vlerave demokratike dhe paqes. Ne u bëjmë thirrje vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë, të mos hezitojnë ta bëjnë këtë”, tha ai.

Mehaj përsëriti thirrjen që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të vendosin në Kosovë një bazë të përhershme ushtarake, “për të forcuar paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë”.

Të njëjtën thirrje Kosova ia dërgoi SHBA-së edhe në tetor të vitit 2021.

(r.m.)