Vuçiq kërkon falje që Serbia votoi në OKB për rezolutën evropiane mbi Ukrainën

Beograd, 25 shkurt 2025 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kërkuar falje që Serbi ka votuar në OKB për miratimin e rezolutës evropiane mbi Ukrainën.

Të hënën në mbrëmje, Vuçiq ka thënë se Serbia ka gabuar që ka votur për versionin evropian në rezolutës, duke shtuar se Serbia është dashur të abstenojë.

“Mendoj se Serbia ka gabuar. U kërkoj falje qytetarëve dhe e marr përgjegjësinë vet, sepse mendoj se jam i lodhur dhe i ngarkuar, dhe nuk mund të bëj gjithçka”, ka thënë ai për televizionin “Happy”, transmeton N1.

Vuçiqi ka shtuar duke thënë se Serbia abstenoi ndaj propozimit amerikan dhe “votoi siç duhet”. Sipas tij, abstenim do të duhej të ishte edhe për rezolutën evropiane.

“Dhe siç po e shihni, po e them në një moment kur është e qartë se do të humbë poenë politikë në Bashkimin Evropian për shkak të kësaj. Dhe besoj që Serbia është dashur të përmbahej. E fajësoj veç veten, nuk jam marrë me të sa duhet”, ka thënë Vuçiqi.

Ai ka thënë se Serbia “është përballur me situatën më të vështirë të mundshme” në tri vjetët e luftës në Ukrainë, pas mosvënies së sanksioneve ndaj Rusisë, duke shtuar se qëndrimi i Serbisë “nuk përmbyset as me një, dy apo tri rezoluta”.

Të hënën, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi rezolutën që rikonfirmon mbështetjen për Ukrainën dhe integritetin e saj territorial, në trevjetorin e nisjes së pushtimit rus.

Në Asamblenë e Përgjithshme u paraqitën dy versione të rezolutës: një version i paraqitur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe një versdion i paraqitur nga Ukraina dhe aleatët evropianë. Serbia abstenoi në votimin e rezolutës së SHBA-së dhe votoi për rezolutën e Ukrainës dhe aleatëve evropianë.

Rezoluta e propozuar nga Ukraina dhe aleatët e saj evropianë mori 93 vota pro, 18 kundër (në mesin e tyre SHBA-së dhe të Rusisë) dhe 65 abstenime.

(r.m.)