Vuçiq kërkon që KFOR-i të marrë përsipër sigurinë në pjesën veriore të Kosovës

Beograd, 26 shtator 2023 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është takuar të martën në mëngjes me ambasadorët e vendeve të QUINT-it (Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë dhe Gjermanisë), si dhe me shefin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, për të diskutuar për situatën dhe zhvillimet e fundit në pjesën veriore të Kosovës.

Pas përfundimit të takimit, Vuçiq ka thënë se nga ambasadorët ka kërkuar që misioni i NATO-s, KFOR, të marrë përsipër të gjitha çështjet e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës, në vend të Policisë së Kosovës. Ai ka thënë se nga ambasadorët ka kërkuar

“Në një nga momentet më të vështira për Serbinë zhvillova një bisedë të rëndësishme me përfaqësuesit e QUINT-it. Përsërita qëndrimet e Serbisë për ngjarjet e fundit në Kosovë e Metohi dhe kërkova që KFOR-i të kujdeset për të gjitha çështjet e sigurisë në veri të Kosovës, në vend të policisë së Kurtit. Po ashtu, shtrova pyetjen përse EULEX-i është refuzuar nga policia e Kosovës që të marrë pjesë në operacionin që u zhvillua në territorin e veriut të Kosovës”, ka shkruar Vuçiq në Instagram.

Në takim ka marrë pjesë edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Të dielën, në sulmet e një grupi të terroristëve serbë ndaj policisë së Kosovës, në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, u vra një pjesëtar i policisë së Kosovës dhe u plagosën dy të tjerë.

Gjatë përleshjes së armatosur me policinë e Kosovës u vranë tre nga pjesëtarët e grupit të tërroristëve serbë që u barrikaduan në Manastirin e Banjskës dhe në shtëpitë e objektet përreth. Gjashtë pjesëtarë të këtij grupi u arrestuan nga policia e Kosovës, por shumica prej tyre arritën të ikin nga vendi i ngjarjes. Sipas informacioneve të pakonfirmuara, disa prej tyre janë plagosur dhe janë duke u trajtuar në spitale në Serbi.

(r.m.)