Vuçiq kërkon tërheqjen e kryetarëve shqiptarë nga komunat veriore të Kosovës

Beograd, 30 maj 2023 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kërkoi tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës, ashtu si edhe të kryetarëve të komunave me kombësi shqiptare.

Vuçiq i bëri komentet në takim me ambasadorët e vendeve të Quint-it: Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë dhe Italisë, njofton kabineti i tij.

“Shpresoj se do të mund ta bindni [kryeministrin e Kosovës, Albin] Kurti që t’i tërheqë forcat e tij dhe kryetarët personalë nga veriu”, tha Vuçiq.

Sipas komunikatës që iu dërgua mediave, Vuçiq tha, po ashtu, se Serbia do ta vazhdojë komunikimin me përfaqësuesit e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, me “besimin më të mirë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin”.

“Presidenti shprehu keqardhjen e tij për ushtarët e lënduar të KFOR-it, por theksoi se një numër shumë më i madh i serbëve u plagosën, se kundër tyre u përdorën armë zjarri dhe forcë e madhe fizike, edhe pse ata që në fillim bënë rezistencë të padhunshme”, thuhet në deklaratë.

Tridhjetë ushtarë të KFOR-it u plagosën të hënën në Zveçan, gjatë sulmeve të protestuesve serbë me mjete të forta dhe me koktej molotovi.

Protestuesit iu përgjigjën me dhunë kërkesës së KFOR-it qër të shpërndahen.

(REL)