Vuçiq: Kohë të vështira po vijnë, por ne do të luftojmë

Beograd, 30 dhjetor 2022 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se tensionet në pjesën veriore të Kosovës janë ulur pasi serbët kanë marrë garanci nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian se policia speciale e Kosovës nuk do të mund të shkojë atje pa pëlqimin e KFOR-it dhe të përfaqësuesve të serbëve dhe se serbët e Kosovës nuk do të ndiqen për shkak të protestave të tyre paqesore, përfshirë vendosjen e barrikadave.

Vuçiq ka thënë se beson se shqiptarët do të respektojnë garancitë e Shteteve të Bashkuara, të cilat kanë premtuar se do të përfshihen në procesin e dialogut.

“… shqiptarëve nuk u bën përshtyje BE-ja, por kanë njëfarë frike nga amerikanët dhe amerikanët kanë thënë se do të përcjellin me  kujdes proceset”,  është shprehur Vuçiq.

Presidenti serb tha se pret që në gjysmën e parë të muajit janar në Beograd të vijnë autoritete të rëndësishme ndërkombëtare, për të ushtruar presion ndaj tij për të pranuar një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovë e Serbisë.

“Pres që në gjysmën e parë të janarit të më vijnë këta të mëdhenjtë e të fuqishmit e botës, për të më mbajtur  leksione se si duhet ta arrijmë atë marrëveshjen që atyre u pëlqen […] që mua më shkakton të vjella”, ka thënë Vuçiq.

“…kohëra të vështira po vijnë, por ne do të luftojmë”, ka theksuar ai.

“Unë premtoj se do të luftojmë për popullin tonë.  Lehtë nuk do ta kemi, lehtë do ta kenë ata që bëjnë sehir karshi dhimbjes së Serbisë. Deri më tani nuk ia kanë dalë të na e thyejnë as një gisht të dorës së majtë, e lëre më shtyllën kurrizore”, është shprehur Vuçiq.

(r.m.)