Beograd, 5 dhjetor 2022 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, konfirmoi se do të marrë pjesë në samitin midis Bashkimit Evropian dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor, që mbahet më 6 dhjetor në Tiranë të Shqipërisë.
Më herët, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, deklaroi se Serbia nuk do të merrte pjesë në këtë samit, duke përmendur si arsye qëndrimet e një zëdhënësi të Bashkimit Evropian.
Gjatë një vizite në Nikinqi, ku po mbahen stërvitje ushtarake, Vuçiq deklaroi më 5 dhjetor se nuk ishte i sigurt nëse do të kishte ndonjë përfitim nga shkuarja e tij në Tiranë, por mospjesëmarrja e tij në këtë samit tha se do të sillte dëme të mëdha.
“Sigurisht se do të ishte dëm i madh për vendin, në kuptimin e tërheqjes së investimeve dhe për gjithçka tjetër. Prandaj, pa marrë parasysh që temë është Ballkani Perëndimor dhe se 20 sosh do të nisin të flasin në mënyrë joadekuate për sanksionet ndaj Rusisë dhe për problemin e Kosovës, mbase bashkëpunëtorët e mi kanë të drejtë kur thonë se është më mirë që ata të dëgjojnë të paktën një përgjigje sesa të mos dëgjojnë asgjë”, tha Vuçiq.
Ai tha se do të ketë shumë gjëra të mira për qytetarët në Tiranë – ata nuk do të paguajnë tarifa shtesë për shërbimet e romingut kur të shkojnë në Gjermani apo Francë. Vuçiq shtoi se Serbia ka “detyrime mirënjohëse” për 165 milionë eurot që do të marrë nga Bashkimi Evropian për energjinë.
Ana Bërnabiq deklaroi më 1 dhjetor se Serbia nuk do të marrë pjesë në samitin BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahet të martën në Tiranë. Në këtë samit, Kosova do të përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani.
Ajo tha se arsye për këtë ishte deklarata “e turpshme” e zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, lidhur me emërimin e Nenad Rashiqit si ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.
Lideri i Partisë Demokratike Progresive, Nenad Rashiq, është emëruar ministër nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Hyrja e Rashiqit në Qeverinë e Kosovës u konfirmua më pak se një muaj pasi përfaqësuesit serbë në Kosovë u tërhoqën nga institucionet e Kosovës, për shkak të një vendimi të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kishin targa të lëshuara nga Serbia.
Prishtina dhe Beogradi, me ndërmjetësimin e BE-së, në ndërkohë arritën marrëveshje për tejkalimin e krizës me targa, por palët nuk kanë arritur ujdi për heqjen dorë nga bojkoti i institucioneve nga ana e serbëve.
Zyrtarët serbë e kanë kundërshtuar vendimin për emërimin e Rashiqit si ministër i Qeverisë së Kosovës.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, deklaroi se është me rëndësi jetike që Prishtina t’i respektojë të gjitha hapat e nevojshëm në procesin e emërimit të ministrave që përfaqësojnë komunitetet joshumicë.
(REL)