Vuçiq: Kosova do të përballet me pasoja, nëse pengon mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë

Beograd, 22 janar 2022 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka shprehur bindjen se serbët e Kosovës do të mund të votojnë në vendbanimet e tyre në Kosovë për zgjedhjet presidenciale të Serbisë që do të mbahen në muajin prill.

Vuçiq ka paralajmëruar edhe një here se Kosova do të përballet me pasoja, në qoftë se autoritetet do të pengojnë votimin e serbëve të Kosovës në vendbanimet e tyre.

“Shpresoj që dikush ka mend ta kuptojë dhe do ta kuptojë se cilat do të ishin pasojat, nëse kjo (mbajtja e zgjedhjeve Presidenciale të Serbisë në territorin e Kosovës) nuk do të ndodhë”, ka thënë Vuçiq, citon B92.

Ai ka shprehur dyshime se vendet e QUINT-it kishin kërkuar që të lejohej organizimi i referendimit të Serbisë në territorin e Kosovës, më 15 janar, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka dëgjuar.

“Më vjen të qesh kur QUINT-i thotë se ka lëshuar komunikatë, por Kurti nuk ka dashur t’i dëgjojë”, është shprehur Vuçiq.

Kjo nuk është hera e parë që Vuçiq paralajmëron “pasoja serioze” për Kosovën, në qoftë se autoritetet e Kosovws nuk do të lejojnë hapjen e vendvotimeve për gjedhjet presidenciale të Serbisë.

Ky paralajmërim është bërë edhe nga partia më e madhe serbe në Kosovë, Lista Serbe. Kjo parti, e cila është pjesë e Qeverisë së Kosovës, kontrollohet nga Vuçiqi.

(r.m.)