Vuçiq: Kosova të përmbushë obligimet e saj, të formojë Asociacionin

Beograd, 6 qershor 2023 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se është koha që autoritetet në Kosovë të përmbushin obligimet e tyre dhe para së gjithash të formojnë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Sipas një postimi në rrjetin social Instagram, Vuçiq i bëri këto deklarata gjatë takimit në Beograd me emisarin e Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, dhe atë të Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar.

“Që nga dita e parë, Serbia ka qenë konstruktive, konsistente dhe partnere e qëndrueshme në të gjitha proceset që do të çonin në ruajtjen e stabilitetit në mbarë rajonin”, tha Vuçiq.

Lajçak e Escobarit arritën në Beograd nga Prishtina, ku patën takime me krerët e shtetit dhe të partive politike parlamentare të Kosovës.

Ata ia shtruan kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, tri kërkesa të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës: tërheqjen e kryetarëve të rinj dhe të policisë nga ndërtesat e komunave në veri, shpalljen e zgjedhjeve të reja në katër komunat e atjeshme dhe zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, e cila përfshin edhe formimin e Asciacionit të komunave me shumicë serbe.

Kryeministri Kurti, siç u njoftua nga kabineti ii tij, ka shtruar kushtet e tij. Ai ka kërkuar që së pari të ndalohen aktet e dhunshme të grupeve kriminale që veprojnë në veri, e pastaj të tërhiqet policia e Kosovës dhe tëë shpallen zgjedhjet e reja, me kusht që Beogradi të mos e pengojë pjesëmarrjen e votuesve serbë në zgjedhje.

Emisari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin, Gabriel Escobar, shprehu keqardhje që kryeministri Kurti nuk i pranoi këto kërkesa dhe paralajmëroi se kjo nuk do të kalojë pa pasoja në marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-të, BE-në dhe NATO-n.

Ai theksoi se SHBA-të do të jenë gjithmonë me popullin e Kosovës, por nuk i mbështesin vendimet e veprimet e kryeministrit Kurti.

“Ne gjithmonë do të jemi me popullin e Kosovës, por kjo nuk nënkupton që duhet ta mbështesim një individ që nuk e ka atë instinktin e bashkëpunimit dhe koordinimit”, theksoi ai.

Escobar shprehu keqardhje që në Kosovë ka edhe njerëz që mendojnë se SHBA-të po ia mbajnë anën Serbisë.

“Do të jem shumë i sinqertë: Shtetet e Bashjkuara kanë qenë mbështetësja juaj më e madhe, prandaj më dhemb të shoh se ka njerëz që mendojnë se ne, disi, po e drejtojmë raportin dhe angazhimin tonë me Kosovën për përfitime të Serbisë”, u shpreh ai.

Escobar tha se të dy palët duhet të pajtohen me kërkesat e BE-së dhe SHBA-së më së largu të mërkurën dhe bëri të ditur se ai dhe Lajçak do të njoftojnë eprorët e tyre për rezultatin e vizitës së tyre në Prishtinë dhe Beograd.

(r.m.)