Novi Sad, 18 maj 2023 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se serbëve në Kosovë u ka kërkuar “ta ruajnë paqen”, suke theksuar se kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës nuk do të pranohen kurrë nga ky komunitet.
“Po u kërkoj serbëve që ta ruajnë paqen, pasi ata nuk do të pranohen kurrë si kryetarë”, ka thënë Vuçiq në Novi Sad.
“Nesër do të mbahet. Ata do të tentojnë të mbajnë seanca konstituive në ndërtesën në veri të Mitrovicës, për tri komuna, dhe të zgjedhin kryetarë të rremë, me mbështetje të QUINT-it (Shteteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Italisë dhe Gjermanisë), të zgjedhur në zgjedhje të rreme”, ka thënë ai.
Sipas tij, kjo është përpjekje e autoriteteve të Kosovës për të ushtruar presion mbi serbët që të largohen nga shtëpitë e tyre.
Vuçiq ka konfirmuar se një ditë më parë e ka zhvilluar një bisedë telefonike me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, me Këshilltarin e Lartë të Departamentit amerikan të Shtitt, Derek Chollet dhe me ambasadorin amerikan në Serbi, Christopher Hill. Sipas tij, me këta diplomatë amerikanë ka biseduar “për situatën e tensionuar në veri të Kosovës”, duke theksuar se atje “është konstante” situata e tensionuar.
Më 23 prill, në katër komunat veriore të KJsovës të banuara me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok) janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme lokale. Këto zgjedhje janë bojkotuar nga serbët lokalë, me urdhër të Beogradit zyrtar.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror Zgjedhor, në zgjedhje kanë dalë 1.567 votues apo 3.47 për qind e trupit zgjedhor.
Komunat në veri patën mbetur pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, meqë përfaqësuesit serbë në atë zonë kanë dhënë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.
Kryetarët e sapozgjedhur për komunat veriore të Kosovës, të gjithë kandidatë të partive shqiptare, do të bëjnë betimin dhe do të hyjnë në zyra, ndonëse ato kanë funksionuar sipas sistemit të Serbisë.
(r.m.)