Vuçiq: Kurti dëshiron luftë. Duhet të kemi mjetet e nevojshme që të reagojmë

Beograd, 25 qershor 2023 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se eskalimi i krizës në Kosovë nuk e ka arritur ende pikun dhe e ka akuzuar përsëri kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se “dëshiron luftë”.

“Ai dëshiron të ndodhë gjithçka që unë dua të shmang. Ne nuk e kemi arritur pikun e eskalimit të krizës në Kosovë, siç mendojnë disa, mirëpo Kurti dëshiron luftë. Ai lutet për diçka të tillë”, ka thënë Vuçiq për Televizionin “Pink” në Beograd.

“Ai dëshiron luftë dhe konflikt. Kjo i mungon në biografi. Dhe nuk i mjafton që e dëshiron këtë, por dëshiron të na fusë në konflikt me NATO-n”, ka shtuar ai.

Vuçiq ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës është e pajisur me armë “shumë të fuqishme” turke dhe se Serbia duhet të jetë e kujdeshshme.

“Turqit u kanë dhënë atyre armë shumë të fuqishme anti-tank, mortaja, obusë 105 mm etj”, ka thënë ai.

“Këto janë të gjitha gjërat që i posedon FSK-ja. Ne duhet ta llogarisim këtë. NATO deri më tash nuk i ka lejuar të ngrenë (dronët) ‘Bajraktarët’, por gjatë natës kanë shikueshmëri prej dhjetra kilometrash”, ka thënë ai.

Vuçiq ka thënë se për këtë arsye Serbia ka hequr dorë nga blerja e dronëve nga Turqia, por ka treguar se brenda pesë muajsh në Serbi do të arrijnë disa qindra dronë kamikazë nga “Lindja e Afërt”.

“Në afat prej pesë muajsh na arrijnë disa qindra dronë kamikazë, të cilët i kemi marrë në Lindjen e Afërt. Këta (dronë) i marrim për të zmbrapsur agresorin e mundshëm”, ka thënë Vuçiq.

“Ne duhet të jemi të kujdesshëm, duhet të dijmë çfarë bëjmë. Duhet të kemi mjetet (armët) e nevojshme që të reagojmë, në qoftë se populli ynë vihet në rrezik. Këto nuk janë tregime e përralla. Bota ka ndryshuar”, ka shtuar ai.

I pyetur për qëndrimin e Shteteve të Bashkuara ndaj Serbisë, Vuçiq ka thënë se amerikanët tani kanë qëndrim “shumë më të mirë” se në vitet ‘90.

“Nuk është e saktë se amerikanët mendojnë për Serbinë siikur në vitet e nëntëdhjeta. Tani kanë qëndrim shumë më të mirë. Por, ata mendojnë se qëndrimi për Kosovën është i ndarë nga kjo, ndërsa ne mendojmë ndryshe”, është shprehur Vuçiq.

 (r.m.)