Vuçiq: Kurti e bëri dje në Bruksel “një truk të mirë, por jetëshkurtër”

Beograd, 27 tetor 2023 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar të premten në mbrëmje se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “ka tentuar t’u shesë një truk” liderëve evropianë, në takimin e djeshëm në Bruksel, Vuçiq e kacilësuar si “truk të mirë,  por jetëshkurtër”, propozimin e tij për nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit.

“Kurti bëri dje një truk të mirë, por afatshkurtër. Ai e paraqiti idenë për nënshkrimin e tri dokumenteve. Bëhet fjalë për dy marrëveshjet, të Brukselit dhe Ohrit. Propozoi sepse e dinte që Serbia nuk do të pranonte, sepse ai nuk ka vullnet ta themelojë Asociacionin (e komunave me shumicë serbe në Kosovë). Ai nuk do t’i përmbushë të gjitha. Është e qartë se ishte një truk për të blerë kohë”, ka thënë Vuçiq në TV Pink.

Sipas tij, kjo është hera e fundit që Kurti e bën këtë, sepse kjo, sipas tij, “nuk mund të kalojë më”.

“Ai ka provuar edhe më parë, por dje ishte hera e fundit që e bëri këtë, sepse mendoj se nuk do të mund të kalojë më”, ka thënë ai.

 Vuçiq ka thënë se së shpejti pret “një vizitë të madhe” nga Bashkimi Evropian (BE).

“Besoj se do të jetë një takim i nivelit më të lartë. Besoj se do të vazhdojmë bisedimet. BE-ja është partneri ynë kryesor, partneri ynë më i rëndësishëm, prandaj besoj se do të vazhdojmë bashkëpunimin”, ka thënë ai.

Të enjten, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paten takime të ndara me liderët e Gjermanisë, Francës e Italisë, si edhe me shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

(r.m.)