Vuçiq: Kurti përditë provokon dhe nxit luftë

Bruksel, 22 qershor 2023 – Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka folur për takimin që ka zhvilluar të enjten në Bruksel me përfaqësuesin e lartë të Bshkimit Evropian, Joseph Borrell, dhe përfaqësuesin special për dialogun Kosovë – Serbi.

Takimi është ftuar nga Borrell me qëllim të “menaxhimit të krizës” në pjesën veriore të Kosovës.

Vuçiq ka thënë se nuk mund të thotë se ka “ndonjë udhërrëfyes” për dalje nga kriza në pjesën veriore të Kosovës. Ai ka thënë se ka frikë se “çdo gjë ka shkuar shumë larg” dhe zgjidhja e krizës është e vështirë.

“Me Miroslav Lajçakun e Joseph Borrellin bisedova përsituatën në Kosovë. Dëgjova krejt çka kishin për të më thënë, e kuptova vullnetin e tyre për deeskalimin e situatës dhe për zgjidhjen e problemeve me bisedime”, ka deklaruar Vuçiq.

Ai ka thënë se angazhohet për paqe, por ka paralajmëruar se serbët në Kosovë, siç është shprehur, “nuk dëshirojnë të durojnë më terrorin”

“Ne do të vazhdojmë të bisedojmë përditë sepse konsideroj se paqja dhe stabiliteti kanë rëndësi thelbësore, por edhe një herë e tërhoqa vërejtjen se serbët janë në pozitë shumë të vështirë dhe nuk dëshirojnë të durojnë më terrorin”, është shprehur Vuçiq.

“Regjimi i Albin Kurtit, në mënyrë të vazhdueshme, tash tri vjet, përpiqet t’i ndjekë serbët, t’i arrestojë ose t’i frikësojë, t’i dëbojë nga vatrat e tyre”, ka shtuar ai.

Vuçiq ka thënë se në takim me Borrellin dhe Lajçakun e ka paraqitur raportin e mjekut për lëndimet që u janë shkaktuar serbëve të arrestuar nga policia e Kosovës. Sipas tij, të arrestuarit “nuk janë fajtorë për asgjë”, por janë arrestuar dhe keqtrajtuar brutalisht “vetëm sepse dëshirojnë të jenë vetëvetja në vendin e vet“.

Vuçiq ka treguar përse ka refuzuar të takohet Kurtin në Bruksel. Ai e ka akuzuar Kurtin se “po provokon” dhe “po nxit luftë”.

“Në këtë moment nuk shoh arsye për bisedime me njeriun që çdo ditë provokon dhe dëshiron të nxisë luftë”, është shprehur ai.

(r.m.)