Beograd, 8 shtator 2022 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thirri për të shtunën një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Radio Televizioni i Serbisë, duke u thirrur në një konfirmim nga Presidenca e Serbisë, raporton se mbledhja do të mbahet më 10 shtator dhe se temë kryesore pritet të jetë “situata në Kosovë dhe sfidat e sigurisë”.
Gjithashtu, pritet të diskutohet për sigurinë energjetike dhe përgatitjet për dimër.
Këshilli do të mblidhet menjëherë pas vizitës së të dërguarit të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe këshilltarëve të Gjermanisë dhe Francës për dialogun, Jenns Plettner dhe Emmanuel Beaune.
Tre diplomatët pritet të udhëtojnë në Kosovë dhe në Serbitë premten, më 9 shtator.
Më 4 shtator, presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, u bënë thirrje udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq, që të tregojnë vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të marrë vendime të vështira, të cilat do të çonin drejt normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve.
Kosova dhe Serbia janë duke zhvilluar negociata për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2011. Deri më tani janë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar në terren.
Palët shpesh akuzojnë njëra-tjetrën për bllokim të dialogut.
Tensionet e fundit mes tyre janë rritur më 31 korrik, në prag të fillimit të zbatimit të dy vendimeve të Qeverisë së Kosovës – për vendosjen e masave reciproke ndaj Serbisë lidhur me dokumentet personale dhe për riregjistrimin e automjeteve nga targat serbe në RKS (Republika e Kosovës).
Për të shmangur përshkallëzimin e situatës, pasi disa serbë në veri të Kosovës kanë ngritur barrikada, Kosova ka shtyrë zbatimin e këtyre vendimeve për 30 ditë.
Por, ndërkohë, dy vendet kanë arritur marrëveshje për dokumentet, gjegjësisht për heqjen e letrave hyrëse-dalëse për të gjithë qytetarët, nga të dyja anët.
Nga 1 shtatori, ndërkaq, Kosova ka nisur zbatimin e vendimit për riregjistrimin e makinave – proces që do të zgjasë dy muaj.
Serbia pret negociata edhe për këtë çështje, duke propozuar targa neutrale ndaj statusit të Kosovës – gjë të cilën Prishtina e refuzon.
(REL)