Vuçiq: Me luftën e saj për Kosovën, Serbia i mbron parimet univerzale të Kombeve të Bashkuara

Beograd, 11 tetor 2021 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbia do të luftojë për “mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të saj në Kosovë.

Ai ka thënë se duke luftuar për sovranitetin e saj në Kosovë Serbia i mbron “parimet univerzale të Kombeve të Bashkuara.

“Serbia e di çfarë është lufta për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit dhe me luftën e saj për Kosovën e Metohinë, ajo i mbron parimet univerzale te Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Vuçiq.

Vuçiq ka thënë se Serbia është e përkushtuar për “një zgjidhje kompromisi” për Kosovën, të cilën e ka  quajtur “krahinë” të Serbisë.

“Përkundër të gjitha sfidave, Serbia është e përkushtuar për gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi e cila do të sjellë paqe të qëndrueshme dhe stabilitet në krahinën tonë jugore”, ka theksuar ai.

Megjithatë, ai ka thënë se dialogu me Kosovën nuk ka alternativë dhe kakërkuar mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare.

“Arritja e zgjidhjes në rrugë paqësore është forca dhe jo dobësia jonë. Dialogu nuk ka alternativë, kurse mbështetja e bashkësisë ndërkombëtare është thelbësore për sukses”, ka shtuar ai. 

Presidenti i Serbisë i ka bërë këtokomente në hapje të samitit dyditor që po mbahet në Beograd në 60-vjetorin e konferencë së parë të Lëvizjes së të Painkuadruarve. Nëkëtë samit po marrin pjesë përfaqësues të 105 vendeve dhe 9 organizatave ndërkombëtare.

Lëvizja e të Painkuadruarve ishte themeluar në vitin 1961 nga vendet që nuk ishin pjesë e dy blloqeve kundërshtare gjatë luftës së ftohtë midis Lindjes e Perëndimit, të udhëhequra nga Bashkimi Sovjektik (BRSS) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, ka thënë se Lëvizja e të Painkuadruarve ka luajtur një rol të rëndësishëm në botë, ndërsa samiti i Beogradit po mbahet “në një kohë sfidash të jashtëzakonshme”.

Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Abdullah Shahid, i cili po merr pjesë në samit, ka thënë se bota “ka nevojë për një adresim të vazhdueshëm të paqes dhe miqësisë”.

“Kjo Lëvizje i shërben kësaj. Kushtet kanë ndryshuar që nga viti 1961, por nevoja për diplomaci nuk ka ndryshuar”, ka theksuar Shahid.

Azerbajxhani, si kryesues i Lëvizjes së të Painkuadruarve, e ka ngritur çështjen e luftës 44-ditëshe me Armeninë, gjatë vitit të kaluar.

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, e ka kritikuar Armeninë për konfliktin në rajonin e Nagorno-Karabakut, duke e akuzuar se Armenia ka kryer “spastrim etnik” në këtë rajon.

Në samit po merr pjesë edhe Rusia, e cila në korrik të këtij viti e kishte fituar statusin e shtetit të vëzhguesit në Lëvizjen e të Painkuadruarve.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, në mesazhin e përcjellë përmes ministrit të Punëve të Jashtme, Sergej Lavrov, ka thënë se Lëvizja e të Painkuadruarve ka rëndësi të veçantë në situatën aktuale në botë. Sipas tij, kjo organizatë “në mënyrë parimore mbron principin e “respektimit  te sovranitetit dhe interesave legjitime” të shteteve dhe “angazhohet per dialogmultilateral kontruktiv në bazë të Kartës së Kombeve të Bashkuara”.

(r.m.)