Vuçiq në darkë me Ramën, Krivokapiqin e Dimitrovin: Miqësia jonë është për të ardhmen e tërë rajonit

Beograd, 3 nëntor 2021 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka shtruar darkë në Beograd për Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe zëvendës-kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov.

Në këtë takim joformal ka marrë pjesë edhe kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, ndonëse  vendi i tij nuk i është bashkuar nismës “Balkani i Hapur”.

Vuçiq e ka postuar në llogarinë e tij në Instagram një fotografi nga darka, e ka lavdëruar verën serbe, duke e krahasuar me verërat më të mira franceze, ndërsa miqësinë me mysafirët e tij e ka cilësuar “miqësi për të ardhmen e rajonit”.

“Mbrëmje e jashtëzakonshme me miqtë nga rajoni, Edi Rama, Zdravko Krivokapiq dhe Nikola Dimitrov. Ana Bërnabiq dhe unë i pritëm mysafirët tanë me verë serbe të shkëlqyer, të cilën ne guxojmë ta krahasojmë me verërat më të mira franceze. Miqësia jonë është miqësi për të ardhmen e rajonit”, ka shkruar Vuçiq.

Takimi zyrtar i Vuçiqit me Ramën e Dimitrovin do të zhvillohet të entjen. Sipas paralajmërimeve, ata do të diskutojnë për lehtësimin e tregtisë midis Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë dhe do të zhvillohet edhe një diskutim me temën: “Transformimi digjital si bazë për informimin rajonal”.

Pas takimit është planifikuar edhe një konferencë e përbashkët për medie e tre liderëve.

Takimit Vuçiq-Rama-Dimitrov do t’i paraprijë një takim i përfaqësuesve të kompanive nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

(r.m.)