Vuçiq: “Ne jemi të gatshëm të bisedojmë për zgjidhje të panumërta kompromisi”

Beograd, 4 janar 2023 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se zgjidhja e çështjes së Kosovës do të jetë një sfidë e rëndë për Serbinë.

Në konferencën vjetore për medie, ka thënë se Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, do ta vizitojë Beogradin më 11 ose 12 janar. Ai ka thënë se pret që biseda me z. Chollet të mos jetë e lehtë.

“Besoj në krijimin e raporteve më të mira me Shtetet e Bashkuara. Të shohim se si do të shkojë. Nuk do të jetë një bisedë e lehtë, por besoj se ne mund të flasim”, ka thënë ai.

Vuçiq ka thënë se është i gatshëm të bisedojë për “zgjidhje kompromisi”, duke shtuar se këtë “zgjidhje” e sheh në kuadër të Kushtetutës së Serbisë e cila e definon Kosovën si pjesë të saj.

“Ne do t’i përmbahemi Kushtetutës sonë. Kjo është e gjitha që mund të them. Jemi të gatshëm të bisedojmë për gjithçka tjetër, për zgjidhje të panumërta të kompromisit, por jo për poshtërimin e Serbisë”, është shprehur ai.

“Nuk do të turpërohemi me Kushtetutën dhe me popullin tonë, ndonëse Serbia nuk mund të kundërshtojë fuqitë e mëdha. Ne jemi të vegjël. Të mëdha janë Gjermania, Amerika dhe Evropa”, ka shtuar ai.

Vuçiq ka thënë se propozimi francezo-gjerman është ende draft që mund të pësojë ndryshime dhe jo propozim përfundimtar.

“Ata tashmë po sillen sikur ky të ishte një propozim që nuk mund të refuzohet”, shtoi ai.

Vuçiq ka pranuar se Serbia nuk do të mund të pengojë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, por do të luftojë ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

“A mund t’i kundërshtojmë në Këshillin e Evropës? Është e vështirë. A mundemi në UNESCO? Ne do të luftojmë sepse për anëtarësim (në UNESCO) nevojiten votat e dy të tretave,  gjë që do ta kenë pak më vështirë”, ka thënë ai.

Vuçiq ka thënë se nëntë shtete e kanë tërhequr tashmë njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe pritet që këtë ta bëjë edhe një shtet tjetër. Sipas tij, njohjen e shtetit të Kosovës e kanë tërherqur: Somalia, Burkina Faso, Gaboni, Esvatini, Libia, Guniea, Antigua dhe Barbuda, Shën Lucia dhe Maldivet.

(r.m.)