Ohër, 18 mars 2023 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se “njëfarë marrëveshjeje është arritur”.
“Jam i kënaqur për këtë, por nuk është e gjitha”, tha ai pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Në këtë takim që u ndërmjetësua nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, u bisedua për zbatimin e një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Vuçiq tha se është rënë dakord për “disa afate” dhe se është rënë dakord që brenda 30 ditësh të formohet bashkërisht një komision monitorues, i cili do të kryesohet nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të marrëveshjes. Ai po ashtu tha se është rënë dakord që “menjëherë të nisë formimi i Asociacionit”.
Sipas Vuçiqit, do të hartohet edhe një deklaratë për të zhdukurit, ndërsa është planifikuar edhe një konferencë e donatorëve brenda pesë muajsh.
Duke iu drejtuar gazetarëve, ai tha se nuk ka nënshkruar asgjë.
“Këto disa pika për të cilat kemi rënë dakord, do të jenë pjesë e kornizës së negociatave për të dyja palët, si për Beogradin, ashtu edhe për Prishtinën. Këshilli Evropian do të marrë një vendim që kjo të bëhet pjesë e vendimit të negociuar”, tha presidenti serb.
Këshilli Evropian do të vlerësojë se sa është bërë nga plani i zbatimit, tha ai.
“Për ne është shumë e rëndësishme që formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe [në Kosovë] është vendosur si detyrim me prioritet dhe atë në përputhje me marrëveshjet e arritura më parë, në kuadër të dialogut. Më duhet të them se jam shumë i kënaqur për këtë”.
Vuçiq tha se do t’i njoftojë qytetarët e Serbisë për gjithçka që ka ndodhur dhe do t’ua shpjegojë “atë që i pret”.
(REL)