Bruksel, 27 shkurt 2023 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të hënën, para udhëtimit të tij në Bruksel, se do ta veprojë ashtu siç është më së miri për vendin e tij.
“Atyre që paraprakisht po përgatiten të na sulmojnë – sepse do të nënshkruajmë diçka, se do të jemi tradhtarë, dhe paraprakisht e dinë se jemi fajtorë, dhe se po kthehemi në vitet ‘90 – mund t’iu them të mos shqetësohen. Nuk do të ketë as kapitullim, as kthim në vitet ‘90. Serbia do të ecë përpara sado e vështirë të jetë dhe ne do të arrijmë të luftojmë për të”, ka thënë Vuçiq përmes një postimi në Instagram.
Ai do të takohet në pasditen e së hënës me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Blloku evropian e konsideron takimin e gjashtë mes dy liderëve si më të rëndësishmin, sepse kësaj here, sipas burimeve në Bruksel, nuk do të ketë diskutime për menaxhimin e krizave, por për një dinamikë të re të raporteve.
Të dyja palët pritet të arrijnë pajtueshmëri për propozimin e BE-së, si një “marrëveshje bazë” për normalizimin e raporteve.
Burimet e BE-së në Bruksel kanë thënë në prag të këtij takimi se, presin që Kurti dhe Vuçiq të pranojnë propozimin, pa diskutime të mëtejme.
Këtë propozim e përkrahin edhe Shtetet e Bashkuara.
(REL)