Sofje, 1 shkurt 2023 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se nuk ka afat kohor për miratimin e planit franko-gjerman për Kosovën.
“Që të gjithë ata do të dëshironin që kjo të ndodhte nesër, por nuk mund të ndodhë nesër, pikë”, tha Vuçiq në Bullgari, ku mori pjesë në nisjen e ndërtimit të gazsjellësit që do të sjellë gaz nga ky shtet në Serbi.
Plani i Bashkimit Evropian apo, siç njihej, plani franko-gjerman, ka të bëjë me normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Ky plan po ashtu ka mbështetjen edhe të Shteteve të Bashkuara.
Plani nuk është bërë publik, por i është prezantuar Kosovës dhe Serbisë në shtator dhe në dhjetor të vitit 2022.
Vuçiq do të marrë pjesë në seancën e posaçme të Parlamentit serb më 2 shkurt, ku do të diskutohet për Kosovën. Ai tha se nuk beson se do të arrihet unitet në Parlament lidhur me planin për Kosovën.
“Është e natyrshme që njerëzit të mos pajtohen, por jo që ne të mos pajtohemi sepse ju nuk e dini se çfarë do të ndodhë nesër, kur nuk mund të flisni vetëm për letra dhe dokumente, por po ashtu edhe për rrethanat”, tha presidenti serb.
Ai përsëriti se nuk ka nënshkruar asnjë dokument.
“Nuk kam asgjë për të cilën duhet të kërkoj falje, nuk kam nënshkruar asgjë. Kam punuar me nder, kam luftuar për shtetin në përputhje me mandatin tim kushtetues”, tha ai.
I pyetur lidhur me kërkesën e opozitës së krahut të djathtë që të refuzohet plani evropian, Vuçiq tha se kjo është e drejta e tyre demokratike.
“Nuk mendoj se dikush në Serbi do të jetë i lumtur me këtë plan”, shtoi ai.
Në seancën e Parlamentit serb, ku do të diskutohet për Kosovën, deputetëve do t’iu prezantohet një raport për procesin e negociatave me Kosovën nga 1 shtatori 2022 deri më 15 janar 2023.
Raporti është dërguar në Parlament nga Qeveria serbe. Por, në këtë raport nuk përmendet propozimi franko-gjerman.
(REL)