Beograd, 30 nëntor 2024 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Beogradi nuk ka asnjë lidhje me atë çfarë ndodhi në veri të Kosovës, ku u dëmtua një kanal i ujit i Ibër-Lepencit, duke shtuar se “këtë e di edhe Prishtina”, raporton transmetuesi shtetëror serb, RTS.
Një shpërthim mbrëmjen e së premtes i shkaktoi dëme të konsiderueshme kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, duke rrezikuar furnizimin me ujë dhe rrymë në vend.
Autoritetet kosovare e akuzuan menjëherë Serbinë se ka gisht në këtë sulm.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Serbia është përgjegjëse për “sulm kriminal dhe terrorist”, i cili, sipas tij, ka synuar “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit.
Por, Vuçiq, duke i komentuar këto akuza gjatë një bisede me të rinjtë në tribunën e Partisë Progresive të Serbisë: “Të rinjtë e Serbisë, kurthet dhe mundësitë”, i hodhi poshtë akuzat.
Ai i këshilloi ata të mos marrin vendime nën trysni, duke treguar gjoja pse Serbia nuk reagoi menjëherë pas akuzave të Prishtinës.
“Përse të justifikohem, të vrapoj nëpër mediat botërore, të kërkoj falje për diçka që nuk e kam bërë kur ata gjithsesi do ta interpretojnë si të duan”, tha ai.
Në orët e mbrëmjes Vuçiq njoftoi se të dielën do t’i drejtohet, siç është shprehur, “qytetarëve dhe opinionit ndërkombëtar” lidhur me shpërthimin në kanalin e Ibër – Lepencit në fshatin Varagë të Zubin Potokut, si edhe për aksionet e Policisë së Kosovës.
“Nesër në orën 11:00 do t’u drejtohem qytetarëve si edhe opnionit ndërkombëtar dhe në mënyrë precize do të shpjegoj se kujt dhe për ç’arsye I duhej ky incident në komunën e Zubin Potokut, përse Kurti dhe Sveçla duhet të gënjenin shumë dhe me nervozë, ndërsa bashkësisë ndërkombëtare do t’ia shtroj një sërë pyetjesh dhe do të kërkoj përgjigje konkrete. Serbinë nuk do ta thyejnë me gënjeshtra”, ka shkruar Vuçiq në Instagram.
Më herët, ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, i hodhi poshtë akuzat e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, se sulmi në kanalin e “Ibër – Lepencit” është orkestruar dhe organizuar nga Serbia. Ai ka thënë se në këtë sulm mujnd të jetë.përfshirë edhe, siç çshtë shprehur, “regjimi I Albin Kurtit
“Regjimi etnonacionalist i Kurtit është nxituar ta drejtojë gishtin drejt Beogradit pa prova. Ne besojmë se akuza të tilla të parakohshme janë një devijim i qëllimshëm që potencialisht mund të tregojë përfshirjen e regjimit të Albin Kurtit”, tha ai.
Gjuriq tha se Serbia kërkon që kryerësit e këtij sulmi d të mbahen përgjegjës he se është e gatshme të ndihmojë në riparimin e dëmeve ndaj kanalit “qoftë financiarisht apo teknikisht”.
Sulmi ndaj Ibër-Lepencit ishte i treti brenda 72 orëve të fundit në veri të vendit, i banuar me shumicë serbe, pas shpërthimeve që ndodhën në një stacion policor dhe në ndërtesën e Komunës në Zveçan.
Kjo i nxiti autoritetet kosovare t’i rrisin masat e sigurisë.
(r.m.)