“Vuçiq nuk mund të shkëputet nga Putini dhe nuk do ta bëjë këtë ndonjëherë”

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq është përpjekur me vite të tëra të përfitojë politikisht nga lidhjet e tij të ngushta me Moskën, gjë që e ka ndihmuar ta mbajë pushtetin. Thashethemet për gjoja prishje të marrëdhënieve u shfaqën në fillim të luftës në Ukrainë, kur kjo “miqësi” pushoi të jetë e dëshirueshme. Kjo së paku publikisht.

Atëherë bëhet një kthesë e lehtë në marrëdhëniet mes Beogradit e Moskës. Mirëpo, shtrohet pyetja nëse marrëdhëniet mes Vuçiqit dhe presidentit rus Vladimir Putin mund të ndërpriten kaq lehtë dhe a është e gjitha kjo vetëm një shfaqje ndryshe për publikun?

Diplomasi Sreçko Gjukiq, ish-ambasador i Serbisë, në një prononcim për medien serbe Nova.rs, tha se është i bindur se Beogradi vazhdon tëe komunikojë me Moskën gjë që shihet nga disa lëvizje të Vuçiqt që kanë të bëjnë me Kosovën, para së gjithash.

“Jam i bindur se mes Beogradit dhe Moskës ka komunikim. Natyrisht, sot kjo është e vështirë të dëshmohet, por nuk është diçka që nuk mund të ‘kapet’ dhe të dëshmohet se ekziston”, theksoi Gjukiq.

Ai shtoi se nuk ka rëndësi nëse ai komunikim është i drejtpërdrejtë apo zhvillohet nëpërmjet kanaleve të veçanta.

“Sidoqoftë, nga veprimet e caktuara të Vuçiqit shihet se kjo është rezultat i mbështetjes së Moskës. Për shembull, kur bëhet fjalë konkretisht për çështjen e Kosovës, ndonëse Moska është e thellë e mbytur në problemet e saj dhe shtrohet pyetja se kujt mund t’i ndihmojë ajo sot, kur ajo vetë ka nevojë për ndihmë”, theksoi ai.

I pyetur nëse mendon se presidenti i Serbisë nuk mund të shkëputet nga ai “përqafim”, Gjukiq u përgjigj;

“Mendoj se është një përqafim ideologjiko-politik. Duke marrë parasysh rrënjët e partisë që ai e drejton, ato rrënjë gjenden në politikën radikale dhe politika radikale në Serbi ka qenë gjithmonë e lidhur me kërthizë me ‘nënën Rusi’. Unë mendoj se Vuçiqi absolutisht nuk mund të shkëputet nga Putini dhe as që do të shkëputet ndonjëherë nga ai. Pavarësisht se nëhet fjalë për Kosovën apo për diçka tjetër. Në qoftë se nuk do të jetë Kosova, do të jetë diçka tjetër”, theksoi Gjukiq.

“Gjithmonë konsultohem me Putinin”

Vetë Vuçiq në shumë raste ka thënë se ai konsultohet rregullisht me presidentin e Rusisë.

“Gjithmonë konsultohem me presidentin Putin dhe e kërkoj këshillën e tij. Unë e njoftoj me çfarë ndodh dhe nuk e gënjej. Ia them të vërtetën, edhepse atij nuk i pëlqen gjithçka gjithmonë. Mendoj se kjo është një nga gjërat që Putini i respekton shumë”, kishte thënë Vuçiq në një intervistë për agjencinë ruse TASS.

Është interesant të kujtohet edhe deklarata e fundit e gazetarit austriak Kristian Versich, se në dhjetor të vitit 2021 ai kishte mësuar pikërisht nga Vuçiq se Rusia do ta sulmonte Ukrainën. Për këtë Presidenti i Serbisë e kishte thënë këtë:

“Jo sepse presidenti Putin më ka thënë gjë, por e kuptova se çfarë do të ndodhte në Ukrainë. Ai gjithmonë i ka ndarë 45 minuta për të folur për Ukrainën, kurse atëherë nuk ka folur as tre minuta. Kjo më ka mjaftuar mua. Kur çdoherë ka nevojë të shpjegojë por përnjëherë ajo nevojë nuk ndjehet, kjo do të thotë se vendimi është marrë. Nuk kam mundur të flas aq hapur, por i kam thënë qartas se pres të ndodhin ndryshime të mëdha”.

Takimet sekrete

Kur filloi lufta në Ukrainë këto kontakte u ndërprenë përkohësisht. Të paktën zyrtarisht. Deri në maj të vitit 2022, kur Vuçiqi dhe Putini folën në telefon dhe u pajtuan për nënshkrimin e një kontrate të re për furnizim me gaz.

Ndërkohë, rrodhën informacione për disa “takime sekrete” me njerëz të afërt me kreun e Rusisë.

Pas dështimit të idesë që ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ta vizitonte Beogradin, në kohën kur ai ishte nën sanksionet e BE-së, Vuçiqi u takua meministrin e jashtëm rus në Nju Jork, në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Nga Perëndimi erdhën reagime për shkak të këtij takimi, prandaj disa takime me njerëz të afërt të Putinit pati përpjekje të fshehen nga opinioni serb.

Kështu, portali Nova.rs zbuloi se Vuçiqi ishte takuar fshehurazi me zëvendësin e Lavrovit, Aleksandar Grushka.

“Ja, paskam dashur të fshehem. A jam i marrë të mendoj se mund të fshehem? Çfarë do të doja të fshihja? Ndoshta për ta mbrojtur Serbinë. Le të themi se gjithka kanë kuptuar, por atëherë përse më denoncuat? Përse e denoncuat presidentin e vendit tuaj? Çfarë jeni ju? Informatorë profesionistë? Të dashur miq në Perëndim, ky (Vuçiqi) është përpjekur t’ju fshihte diçka”, ka thënë Presidenti i Serbisë pasi e kishim publikuar këtë informacion.

Pak kohë pas kësaj, Vuçiq është takuar edhe me këshilltarin e liderit çeçen Ramzan Kadyrov, Turk Daudov. Opinion serb ka mësuar për këtë nga vetë Daudov, i cili është mburrur me dhuratën që ia kishte bërë nikoqirit të tij në Beograd.

Këshilltari i Ramzan Kadirovit, liderit çeçen dhe një prej pjesëmarrësve aktivë në luftë në Ukrainë, Turko Daudov, në fillim të takimit, ia ka përcjellë Vuçiqit dhe përmeds tij gjithë popullit serb përshëndetjet e Çeçenisë. Por, Vuçiq nuk ia ka përcjellë ato popullit serb. Përkundrazi, i ka heshtur ato. Në faqen zyrtare të Presidentit të Serbisë nuk është publikuar ndonjë lajm për takimin dhe as medieve nuk u është dërguar ndonjë komunikatë.

“Për pak jam alivanosur”

Prandaj nuk është për habi deklarata e Vuçiqit se ai ishte “turbulluar” kur e kishte dëgjuar lajmin se Gjykata Ndërkombëtare Penale kishte lëshuar urdhër për arrestimin e Putinit.

“Për pak nuk jam alivanosur kur ma kanë treguar lajmin. Një gomar kaq i madh, gati 120 kilogramësh, sepse e di se çfarë do të thotë kjo për vendin tonë”, ka thënë ai, në një adresim për qytetarë, në Mitrovicën e Sremit.

Ai ka thënë gjithashtu se ky vendim dëshmon se Perëndimi është i gatshëm të shkojë deri në fund dhe të ushtrojë presione shtesë ndaj të gjithë atyre që deri më sot nuk e kanë kundërshtuar ashpër Rusinë dhe se ata që flirtojnë me Putinin do të kenë pasoja tmerrësisht të rënda.

“Kur e them këtë jam i vetëdijshëm për situatën me të cilën do të përballemi”, ka thënë Vuçiq.

Duke folur për këtë, profesori në pension i Fakultetit Filozofik, Zharko Koraç, ka deklaruar për gazetën “Danas” se kjo ndodh për shkak se Vuçiqi e sheh Putinin si politikan të madh dhe të rëndësishëm.

“Ky qëndrim ndaj tij e kazanafillën nga koha kur ai ka qenë anëtar i Partisë Radikale Serbe. Nacionalistët serbë historikisht janë mbështetur te Rusia, megjithëse në Serbi ka pasur edhe nacionalistë pro-perëndimorë. Vuçiqi u trondit kur e kuptoi me vonesë se Putini është vetëm një politikan ylli i të cilit në skenën ndërkombëtare është zbehur përgjithmonë për shkak të luftës në Ukrainë. Romakët e lashtë do të thoshin: sic transit gloria mundi”, ka thënë Koraç.

“Kjo është goditje e re politikës së Serbisë, e cila nuk i ka vendosur sanksione Rusisë”, ka theksuar ai.

(Nova.rs)