Vuçiq: Nuk nënshkruajmë marrëveshje për njohje me Kosovën

Beograd, 6 korrik 2022 – Presidenti i Serbisë, Aleknsandar Vuçiq, tha se vendi i tij nuk do të nënshkruajë marrëveshje për njohje reciproke me Kosovën.

“Bukur, dinjitetshëm dhe me mirësjellje, nuk do të nënshkruajmë. Nuk na shkon mendja, nuk do ta konsiderojmë”, tha Vuçiq për gazetarët, gjatë një vizite në pjesën qendrore të Serbisë.

Parlamenti Evropian miratoi të mërkurën një rezolutë, ku thuhet se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, duhet të “bazohet në njohjen reciproke”.

Kjo është hera e parë që në një dokument zyrtar të një institucioni evropian përmendet njohja reciproke.

Kosova dhe Serbia janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.

Përkundër dhjetëra marrëveshjeve të arritura, rezultatet në terren lënë për të dëshiruar.

Vuçiq, po ashtu, e mohoi deklaratën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, se një takim i tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pritet të zhvillohet së shpejti në Bruksel.

Vuçiq tha se mesazhet që vijnë nga Prishtina për një takim të mundshëm me Kurtin, nuk janë të vërteta.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar vetëm dy herë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve – herën e fundit para një viti.

Marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë janë ashpërsuar pasi Qeveria e Kosovës, më 29 qershor, ka marrë vendim për riregjistrimin e veturave me targat që i lëshojnë autoritetet e Serbisë, me targa RKS (Republika e Kosovës).

Qeveria e Kosovës, po ashtu, ka marrë vendim për reciprocitet mbi dokumentet serbe, që do të thotë se të gjithë ata persona që hyjnë në territorin e Kosovës me dokumente të Serbisë, do të pajisen në kufi me një certifikatë që i zëvendëson ato dokumente.

Qeveria e Serbisë ka reaguar ashpër ndaj këtyre vendimeve, ndërsa Vuçiq ka thënë se nuk do të lejojë “persekutimin e serbëve” – por pa sjellë ndonjë provë për pretendimet e tij.

Kurti vazhdimisht këmbëngul se dialogu me Serbinë duhet të përfundojë vetëm me njohje reciproke.

(REL)