Vuçiq paralajmëron “përgjigje të fortë” pas aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Beograd, 12 maj 2022 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, reagoi kundër aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Të enjten, në Beograd, ai tha se me këtë veprim Kosova ka shkelur Marrëveshjen e Uashingtonit dhe atë të Brukselit dhe paralajmëroi “përgjigje të fortë”.

“Neve na takon të mos hyjmë në urrejtje dhe në një psikozë konflikti, por të japim një përgjigje të fortë, në mënyrë të përgjegjshme, racionale dhe serioze”, tha Vuçiq.

“Serbia do të bëjë çmos për të treguar se mund ta shpëtojmë vendin tonë”, theksoi ai.

Vuçiq paralajmëroi se për të premten ka ftuar një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Marrëveshja e Uashingtonit apo Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është nënshkruar më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit të atëhershëm të SHBA-së, Donald Trump.

Afati i kësaj marrëveshjeje ishte paraparë të zgjatë një vit, por Departamenti i Shtetit më herët kishte inkurajuar Kosovën dhe Serbinë që ta vazhdojnë moratoriumin për çështjet e njohjes që ndërlikojnë përparimin në fushat teknike, pikë e cila ishte pjesë e marrëveshjes.

(r.m.)