Mostar (Bosnjë e Hercegovinë), 16 prill 2024 – Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq e ka cilësuar të vështirë bisedën që ka zhvilluar me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak, të zhvilluar të martën, në Mostar të Bosnjës e Hercegovinë.
Duke iu përgjigjigjur interesimit të gazetarëve për përmbajtjen e takimit të tij me Lajçakun, Vuçiq ka thënë se situata po bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar, si për çështjen e Kosovës ashtu edhe për çështjen e Republikës Serbe.
“Vështirë për gjithçka, si rreth Kosovës ashtu edhe rreth Republikës Serbe. Me të vërtetë vështirë. Situata po bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar. Mua gjithnjë më duhen një apo dy ditë të mendoj çka do të them dhe çfarë mund të bëjmë”, ka thënë Vuçiq.
Më herët, Lajçak ka thënë se gjatë takimit me Vuçiqin e ka theksuar nevojën për progres urgjent në procesin e zbatimit të Marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë, të arritur në Bruksel.
“Në Mostar fola edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për hapat e ardhshëm në dialog dhe për takimin e ardhshëm të kryenegociatorëve, si edhe për zhvillimet rajonale. Theksova nevojën për progres urgjent në zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit”, ka shkruar Lajçak në platformën X.
(r.m.)