Vuçiq për zgjedhjet në veri: Okupimi i veriut nuk do të përfundojë mirë për okupatorin

Beograd, 24 prill 2023 – Presidenti i Serbisë i cilësoi zgjedhjet e djeshme në katër komunat veriore të Kosovës si “okupim të popullit dhe të territorit serb” dhe si “disfatë” të Albin Kurtit dhe të “regjimit të tij”.

“Populli serb në mënyrë plebishitare vendosi se në cilin shtet dëshiron të jetojë, kë nuk e dëshiron në veri të Kosovës e Metohisë dhe i tregoi botës se ajo nuk ka kuptuar asgjë përveçse ta dëgjojë veten e vet”, u shpreh Vuçiqi të hënën, në një adresim të jashtëzakonshëm publik lidhur me zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe.

Ai tha se serbët në veri përcollën të dielën një mesazh edhe për faktorin ndërkombëtar.

“Populli serb tregoi se kërkon qasje kretësisht të ndryshme, para së gjithash nga bashkësia ndërkombëtare. Tregoi se kërkon më shumë respekt e dialog, dialog të vërtetë, dhe jo  imponim të zgjidhjeve’.

Sipas tij, zgjedhjet e djeshme në pjesën veriore të Kosovës krijuan një “realitet politik krejtësisht të ri” që e obligon Serbinë “të sillet ndryshe”.

“Ky tani po bëhet një problem i komplikuar dhe i vështirë për ne, por në periudhën e ardhshme do të shohim se çfarë mund të bëjmë për të mbrojtur vullnetin e serbëve”, u shpreh ai.

Vuçiq tha se me të gjithë do të flasë për situatën në pjesën veriore të Kosovës, se më e rëndësishmja është ruajtja e paqes dhe se nuk e sheh se okupimi nuk do të tregojë fytyrën e vërtetë.

“Okupimit duhet t’i vijë fundi një ditë. Nuk janë ata që e zgjedhin atë moment. Në qoftë se kemi ndonjë avantazh në këtë situatë, ai është se ne e zgjedhim momentin kur do të përfundojë okupimi. Ata vendosën të okupojnë edhe popullin edhe territorin ku nuk kanë qenë të pranishëm asnjëherë dhe ku nuk i ka dashur askush. Kjo nuk ka përfunduar kurrë mirë për okupatorin”, theksoi ai.

Vuçiq tha se serbët nuk duan të kthehen në institucionet e Kosovës dhe ai nuk do t’ua kërkojë këtë derisa nuk krijohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe nuk tërhiqen nga pjesa veriore njësitë speciale të Policisë së Kosovës. Ai e akuzoi faktorin ndërkombëtar se nuk i ka përmbushur  premtimet e veta, prandaj nuk e ka nënshkruar Marrëveshjen e propozuar nga Bashkimi Evropian dhe Aneksin për zbatimin e saj.

“Do t’ua kërkoj kur ta krijoni Asociacionin e komunave serbe dhe t’i largoni njësitë speciale nga veriu. Ka dhjetë vjet që flisni marrëzira, që na gënjeni e na mashtroni. Prandaj nuk firmosa asgjë (në Bruksel dhe në Ohër).

(r.m.)