Vuçiq: Presidentin Macron e luta të bëjë përpjekje shtesë në mënyrë që Prishtina të mbledhë mend

telefon me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, dhe se atij i ka kërkuar “të bëjë përpjekje shtesë që pala prishtinase të mbledhë mend dhe të kthehet në kornizën e bisedimeve konkrete”.

“Si gjithmonë një bisedë e hapur dhe serioze me presidentin Emmanuel Macron, të cilit ia kam prezantuar pasojat e zhvillimit të rrezikshëm të situatës në Kosovë dhe Metohi”, ka shkruar Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram.

Vuçiq ka theksuar se Serbia mbetet e përkushtuar ndaj dialogut dhe ruajtjes së paqes, edhe pse, siç tha ai, “komuniteti serb në Kosovë është i vetmi grup etnik në Evropë që është i ekspozuar ndaj dhunës së vazhdueshme”.

“Presidentin Macron e luta që të bëjë përpjekje shtesë në mënyrë që pala prishtinase të mbledhë mend dhe të kthehet sa më shpejt në kuadrin e bisedimeve konkrete”, ka shkruar Vuçiq.

Ai ka shtuar se presidentin Macron e ka falënderuar për gatishmërinë e tij “për të dëgjuar” Beogradin, si edhe për vendosmërinë e tij për të bërë përpjekje shtesë për të “zgjidhur situatën jashtëzakonisht komplekse dhe, mbi të gjitha, të rrezikshme në Kosovë e Metohi”.

Vuçiq ka bërë të ditur në Instagram se më 8 korrik ka folur në telefon edhe me ministrin e Jashtëm të Italisë, Antonio Tajani. Ai e ka cilësuar “konstruktive” me shefin e diplomacies italiane.

“Ai (Tajani) kërkoi që Serbia të bëjë gjithçka për të ruajtur stabilitetin në rajon dhe theksoi se Italia është gjithmonë e gatshme të mbështesë paqen”, ka shkruar Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram.

Vuçiq ka thënë se është falënderues për “interesimin dhe mirëkuptimin” që kanë Italia, kryeministri Giorgia Meloni dhe Tajani për qëndrimet e Serbisë.

Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) po bëjnë përpjekje shtesë për të rikthyer në tryezën e bisedimeve liderët e Serbisë dhe Kosovës, me qëllim të de-përshkallëzimit të situatës në veri të Kosovës.

Javën e kaluar, i dërguari special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Miroslav Lajçak, ishte në Beograd dhe Prishtinë. Ai bisedoi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

(REL)