Vuçiq: QUINT-i dhe BE-ja thonë se veprimi i Kosovës për targat është në përputhje me marrëveshjen. Ky është mashtrim

Beograd, 27 tetor 2022 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se sot në mëngjes ka dëgjuar kërkesat e përfaqësuesve të serbëve nga Kosova “veçanërisht në prag të skadimit të ultimatumit për targat”.

“Para disa ditësh kemi marrë një demarsh, një akt ku kemi pranuar qëndrimet e vendeve të QUINT-it dhe BE-së të harmonizuara. Në atë akt, pika dy e seksionit të parë që ka të bëjë me targat, thotë se duhet të kuptojmë që veprimi i Kosovës është legjitim dhe në përputhje me marrëveshjen, por problemi është koha dhe metoda dhe kjo shkakton shqetësimin e tyre”, ka thënë Vuçiq.

“Sot edhe atë ditë, përfaqësuesve të QUINT-it dhe BE-së u thashë se kjo nuk është e vërtetë dhe se po mashtrojnë opinionin, se bëhet fjalë për gënjeshtra famëkeqe. Ata nuk kanë të drejtë për këtë në asnjë marrëveshje”, ka shtuar ai.

Presidenti serb ka pretenduar se “Prishtina po kërcënon të vazhdojë me aksionin” por se sipas tij, “kërcënon stabilitetin dhe paqen dhe mbijetesën e popullit serb në Kosovë”.

Ai ka thënë se Prishtina “po planifikon që personat me targa KM të largohen nga territori i Kosovës drejt Serbisë, në mënyrë që të mos lejohen të kthehen”.

Ai ka theksuar se “veprimet e Prishtinës do të përballen me rezistencë demokratike të popullatës serbe” dhe se “Serbia nuk do të lejojë persekutimin e popullit serb”.

Vuçiq ka theksuar gjthashtu se Beogradi insiston se targat KS, të cilat janë neutrale ndaj statusit, janë të pranueshme për serbët në Kosovë, por, sipas tij, “Prishtina në mënyrë të njëanshme i anuloi ato në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet e mëparshme dhe po kërkon vetëm targa RKS të Kosovës së pavarur”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka bërë këto komente të enjten, në Beograd, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë. Para mbledhjes ai është takuar me përfaqësues të serbëve nga Kosova.

Targat e lëshuara nga Serbia, me akronimet serbe për qytetet e Kosovës, si: KM, PZ, PR etj. Janë shpallur ilegale nga Qeveria e Kosovës.

(r.m.)