Vuçiq: Sekretari Blinken më paralajmëroi për masa ndaj Serbisë

Beograd, 29 shtator 2023 – Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e ka paralajmëruar se ndaj Serbisë do të ndërmerrn masa ndëshkuese, “nëse nuk sillet siç duhet”.

Vuçiq u tha gazetarëve në Beograd se gjatë bisedës që ka zhvilluar të qremten me sekretarin Blinken, të cilën e përshkroi si “jo të lehtë”, janë pajtuar se është i nevojshëm “shtensionimi i situatës dhe shtimi i rolit të KFOR-it” gjë që, sipas tij, mbështetet nga Serbia. Ai tha se i ka mohuar zërat se Serbia e ka vënë ushtrinë në gjendje gatishmërie në zonën kofitare me Kosovën.

Presidenti serb tha se me sekretarin Blinken nuk është pajtuar për natyrën e ngjarjeve në Kosovë, posaçërisht për “sovranitetin e Kosovës”.

Ai tha se sekretari amerikan ka folur edhe për “masat e mundshme ndaj Serbisë, nëse nuk sillemi në mnyrën e duhur”.

“Ju jeni një vend i madh, një superfuqi. Ju takon juve të bëni atë që mendoni se duhet. Unë jam plotësisht kundër kësaj dhe mendoj se është shumë keq, por ka gjëra që duhet t’u përmbahemi dhe kjo është, para së gjithash, e vërteta”, tha Vuçiq, por nuk dha më shumë hollësi.

Sulmi i së dielës në Banjskë të Zveçanit, në pjesën veriore të Kosovës, u cilësua si sulm terrorist nga institucionet e Kosovës, nga Bashkimi Evropian dhe nga diplomatët perëndimorë.

Sulmi shkaktoi shqetësime të reja për qëndrueshmërinë në rajon, prandaj NATO-ja miratoi të qremten shtimin e forcave të saj në Kosovë.

(r.m.)