Vuçiq: Serbët e Kosovës do të votojnë në Serbi

Beograd, 22 mars 2022 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se serbët e Kosovës do të votojnë në Serbi për zgjedhjet parlamentare e presidenciale të Serbisë, më 3 prill.

Vuçiq ka thënë se për serbët e Kosovës do të hapen vendvotime të veçanta në komunat e Serbisë, pasi Qeveria e Kosovës nuk lejoi mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës.

Vuçiq ka shpjeguar përse Qeveria e Serbisë nuk pranoi të komunikonte direkt me Qeverinë e Kosovës për të mundësuar votimin në Kosovës të e serbëve të Kosovës. Ai ka thënë se kjo do të thoshte njohje e pavarësisë së Kosovës.

“Kosova ka kërkuar vetëm një formulim, që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës. Serbia nuk ka mundur ta pranojë këtë dhe Serbia nuk do ta pranojë këtë. Kurrfarë votash dhe pushteti i askujt nuk është kaq e rëndësishme” ka thënë Vuçiq, pas takimit me përfaqësues të serbëver të Kosovës, në Beograd.

Sipas tij, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës kanë kërkuar të dalin menjëherë nga institucionet e Kosovës.

“Serbët e Kosovës pothuaj njëzëri kanë kërkuar jo vetëm të dalin nga të gjitha institucionet (e Kosovës), por kanë kërkuar që 435 policë në veri (të Kosovës) t’i lënë armët dhe ta braktisin policinë rajonale (të Kosovës)”, ka thënë ai.

Vuçiq ka thënë se ai i ka lutur serbët e Kosovës që të kenë durimdhe të presin edhe disa ditë.

“Unë e shtrova pyetjen: ‘Ok, po e bëjmë këtë sot, por çfarë një ditë më vonë? Druaj se një ditë më vonë mund të futemi në një rreth vicioz në një konflikt të armatosur pa fund’. Prandaj i luta të kenë durim dhe t’i vazhdojmë bisedimet me 8 ose më 9 prill”, është shprehur Vuçiq.

Para takimit me përfaqësues të serbëve të Kosovës, Vuçiq ka thënë se Qeveria e Kosovës e  ka vënë Serbinë në “situatë shumë të rëndë”

“Kjo është një situatë shumë e rëndë për vendin. Do të shohim se çfarë do të ndodhë në takimin me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova”, kishte thënë ai.

Për çështjen e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës është diskutuar të martën edhe në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë. Mediet në Beograd raportojnë se kjo mbledhje është ndërprerë disa herë, për shkak se Vuçiq është takuar me përfaqësues të serbëve të Kosovës dhe me ambasadorë të vendeve të QUINT-it (SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë), të cilët janë përpjekur të gjejnë një zgjidhje për hapjen e vendvotimeve për serbët në Kosovë.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se Qeveria e Kosovës e ka refuzuar propozimin e ambasadorëve për votimin e serbëve në Kosovë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, e ka cilësuar të pasaktë deklaratën e z. Stano.

“Ne nuk kemi thënë se mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë është jokushtetuese, por kemi thënë që mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë pa aprovimin e institucioneve të Kosovës është jokushtetuese. Ne mendojmë që, në të kaluarën, dhe për këtë ka pajtim dhe consensus, të përgjithshëm edhe brenda vendeve të QUINT-it që zgjedhjet e Serbisë në Kosovë nuk kanë qenë kushtetuese deri më tani. Përpjekja e shteteve të QUINT-it ka qenë që të gjendet një modalitet i cili tejkalon atë shkelje kushtetuese, gjë që ka ndodhur përpara. Tash jemi më datë 22 mars dhe 3 prilli është pas 11 ditësh. Qeveria e Kosovës nuk ka mundur ta trajtojë një kërkesë që nuk ka ardhur nga Qeveria e Serbisë”, ka thënë Bislimi, gjatë raportimit në Komisionin për Punë të Jashtme të  Kuvendit të Kosovës.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës ka thënë se është e gatshmë të asistojë në organizimin e zgjedhjeve, por Qeveria e Serbisë nuk i ka drejtuar Qeverisë së Kosovës kërkesë për mbajtjen e zgjedhjeve serbe.

“Qeveria e Kosovës ka qenë e gatshme dhe mbetet e gatshme që të asistojë Qeverinë e Serbisë, në rast se ajo dëshiron që qytetarët e Kosovës që kanë shtetësi të dyfishtë të marrin pjesë dhe të votojnë në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, sipas praktikave më të mira të vendeve të OSBE-së ose të BE-së, praktika këto që i kemi të pare në rastin e zgjedhjeve që Bullgaria i ka mbajtur në disa vende të BE-së, apo Rumania”, ka thënë Bislimi.

(r.m.)