Vuçiq: Serbët në Kosovë persekutohen hapur nga Prishtina

Nju Jork, 22 prill 2024 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të hënën në Nju Jork se serbët në Kosovë “vazhdojnë të përballen me provokime dhe me forma të ndryshme të dhunës” së autoriteteve të Kosovës.

“Ka pasur dhunë brutale ndaj serbëve që u terrorizuan nga forcat policore dhe u morën vendime kundër interesave të serbëve”, ka thënë në seancën për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Vuçiq i ka quajtur “farsë” deklaratat e Kosovës se ajo ësht lidere në Ballkanin Perëndimor për demokraci dhe ka shprehur keqardhje që në raportin e OKB-së nuk janë ofruar dëshmi “për të kundërtën”.

Ai e ka akuzuar Kosovën dhe Bashkimin Evropian për, siç është shprehur, mospërmbushjen e obligimeve të dala nga marrëveshja Kosovë- Serbi e vitit 2023.

“Janë bërë 11 vjet të premtimeve të pambajtura e arsyetimeve, dhe paaftësisë së BE-së për t’i lëvizur gjërat përpara”, ka thënë ai, duke e vendosur në plan të parë kërkesën për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Ka persekutim të hapur për vite, kurse qe 11 vjet Prishtina refuzon ta zbatojë marrëveshjen për themelimin e një asociacioni për të cilin jemi marrë vesh, si mekanizëm për mbrojtjen e të drejtave të serbëve”, ka shtuar ai.

Vuçiq ka folur edhe për rregulloren e Bankբs Qendrore të Kosovës që e pamundëson përdorimin e dinarit serb në operacionet me para të gatshme në Kosovë. Sipas tij, ky vendim i autoriteteve të Kosovës “ua ka vështirësuar jetën e përditshme serbëve dhe minoriteteve tjera në Kosovë”.

“Të punësuarit (serbët) në institucione po përballen me regjimin e Albin Kurtit, me diskriminim të shkallës së lartë, e kjo për arsye se s’janë shqiptarë dhe s’janë të përfshirë në agjendën për Shqipërinë e madhe”, ka thënë ai.

President i Serbisë ka folur edhe për bojkotimin e referendumit për largimin e kryetarëve të katër komunave veriore të Kosovës nga serbët, të cilët përbëjnë shumicën në këto komuna. Ai e ka cilësuar si “të kuptueshëm” bojkotin e serbëve, me arsyetim se numri i votuesve shqiptarë në këto komuna, siç është shprehur, “është rritur artificialisht në muajt e fundit”.

“Prishtina po vazhdon me okupimin e veriut. Ishte premtuar të kishte udhëheqës legjitimë… Prishtina e rriti numrin e votuesve shqiptarë në listat e votuesve, derisa serbët po largohen për shkak të represionit… Mbi 2 mijë votues shqiptarë janë shtuar në veri kështu që numri iu tyre është rritur artificialisht”, ka thënë ai.

Vuçiq ka thënë se ai e dënon sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, në pjesën veriore të Kosovës. Ai ka thënë se e dënon këtë sulm, por i ka akuzuar autoritetet e sigurisë në Kosovës se “i kanë terrorizuar” qytetarët serbë në pjesën veriore të Kosovës.

Ai ka thënë dialogun  e konsideron “si rrugë të vetme në gjetjen e zgjidhjes për ndaljen e dhunës ndaj komunitetit serb në Kosovë”.

 (r.m.)