Vuçiq: Serbia dhe Kosova duhet të bëjnë pjesën e tyre të punës për shtensionim të situatës dhe normalizim të marrëdhënieve

Beograd, 21 tetor 2023 – I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, deklaroi të shtunën në Beograd se në takimet me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sikurse edhe me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, është shprehur shqetësimi për situatën aktuale dhe ngecjen e procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Le të jemi shumë të qartë që udhëheqësit kanë përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe presim përgjegjësi dhe komunikim të matur publik. Edhe Serbia edhe Kosova duhet të bëjnë pjesën e tyre për shtensionim të situatës dhe normalizim të marrëdhënieve”, tha Lajçak, pas takimit që zhvilluan me presidentin serb ai dhe pëfaqësuesi i SHBA-së, Gabriel Escobar, dhe përfaqësuesit e Gjermanisë, Francës dhe Italisë.

Lajçak tha se sulmi i armatosur ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator ishte i pashembullt dhe shumë serioz, dhe se Bashkimi Evropian do të këmbëngulë për hetimin e plotë dhe vënien e përgjegjësve para drejtësisë.

“Kemi theksuar se 24 shtatori duhet të hetohet plotësisht dhe se urgjentisht duhet të ketë shtensionim e normalizim. Presim që të dy t’u përmbahen obligimeve nga dialogu”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Ai ka thënë se për takimet në Prishtinë dhe në Beograd do të njoftohen shtetet anëtare të BE-së dhe se kjo çështje do të diskutohet edhe në Këshillin e Bashkimit Evropian.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka cilësuar “të vështirë” takimin me pesë diplomatët perëndimorë.

“Besoj se në periudhën e ardhshme do ta gjejmë një rrugëdalje nga kjo krizë. Pres takime të rëndësishme në Bruksel, në ditët në vijim”, ka shkruar Vuçiq në Instagram, por nuk ka treguar asgjë nga përmbajtja e bisedimeve.

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe zyrtarët e lartë të Francës, Emanuel Bonne, Gjermanisë, Jens Plotner dhe Italisë, Alessandro Cattaneo, shkuan në Beograd të shtunën pasdite nga Prishtina, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Lajçak tha në Prishtinë se sulmi në Banjskë vetëm se a e ka bërë edhe më të rëndësishëm dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe se ai është rruga e vetme për dy vende me aspirata evropiane.

“Dialogu është më i rëndësishëm së kurrë, sepse nëse nuk ka dialog mund të përsëritet eskalimi, dhe kjo nuk është çka duam ne, as çka doni ju. Prandaj jemi këtu. E dyta, nuk ka alternativë tjetër pos dialogut, sepse dialogu sjell normalizim e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe e hap rrugën evropiane për Kosovën dhe Serbinë”, tha Lajçak.

Ai tha se në Kosovë dhe në Serbi erdhi me një plan për shtensionimin e situatës dhe për vazhdimin e dialogut, por nuk dha hollësi.

“Ne gjithmonë e kemi një plan, pra ne e kemi një plan dhe ne e diskutuam planin me kryeministrin Kurti dhe do ta diskutojmë edhe me presidentin Aleksandar Vuçiq sot më vonë. Tani nuk do të jap më shumë hollësi”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se tani nevojitet “një qasje” e re në dialog dhe e ka vlerësuar planin e dorëzuar nga pesë emisarët perëndimor.

“Pas sulmit terrorist të 24 shtatorit – me sponsorizimin dhe pjesëmarrjen e Serbisë – siguria e kufirit tonë ka përparësi. Në dialog nevojitet një qasje e re. I falënderoj dhe vlerësoj 5 emisarët për planin e tyre të ri për të ecur përpara”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Burime diplomatike në Bruksel kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se me këtë vizitë synohet që palëve t’u të dërgohet mesazh i qartë se ekziston unitet mes Shteteve të Bashkuara dhe BE-së për zbatimin e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, të arritur në shkurt të këtij viti në Bruksel.

SHBA-ja dhe BE-ja kanë bërë thirrje për zbatim “të shpejtë dhe pa kushte” të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe që dy vendet t’i kthehen dialogut.

Ky qëndrim është shprehur të premten në Uashington, në takimin e Presidentit amerikan Joe Biden dhe Sekretartn të Shtetit, Antony Blinken, me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel, dhe përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

“Nënvizojmë nevojën që Kosova dhe Serbia urgjentisht t’i ulin tensionet dhe që shpejt dhe pa kushte ta zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve midis tyre dhe të kthehen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja“, thuhej ndër të tjera në deklaratën e përbashkët.

(r.m.)