Vuçiq: Serbia është e gatshme të bashkëpunojë në hetimin e shpërthimit në Zubin Potok

Beograd, 3 nëntor 2024 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Beogradi është i gatshëm të bashkëpunojë me të gjitha organizatat dhe institucionet ndërkombëtare në procesin e hetimit të shpërthimit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, në Varagë të Zubin Potokut.

“Nëse [shpërthimi] është kryer nga ndokush që është i kombësisë serbe dhe nëse ai është në territorin në të cilin ka kontroll efektiv Serbia, ai do të ndalohet dhe do të arrestohet në sekondë. Deri më tani, nuk kemi informacione të tilla”, tha Vuçiq për gazetarët në Beograd, transmerton Radio Evropa e Lirë.

Ai tha se Serbia është e gatshme të bashkëpunojë në disa mënyra edhe me institucionet në Prishtinë, në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit dhe “pa vënë në rrezik sovranitetin dhe integritetin” e Serbisë.

Vuçiq tha se më pak e rëndësishmja është se kush është autori, dhe më e rëndësishmja është se kush qëndron pas shpërthimit, duke hedhur poshtë mundësinë që prapa kësaj të jetë Rusia.

Shpërthimi në kanalin e furnizimit me ujë të pjesës veriore të Kosovës dhe të termocentralele të Kosovës ndodhi më 29 nëntor në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, në zonën e banuar me shumicë serbet. Policia e Kosovës tha se shpërthimi është kryer me rreth 20 kilogramë lëndë shpërthyese, që është prodhim i Serbisë.

Autoritetet e Kosovës e kualifikuan shpërthimin si sulm terrorist ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës dhe e kanë akuzuar Serbinë për “orkestrim e mbështetje”, por Beogradi e ka mohuar përfshirjen në këtë akt.

Sulmi në Zubin Potok është dënuar ashpër nga faktori ndërkombëtar. Bashkimi Evropian e ka cilësuar si “akt Terrorist”, siç e ka cilësuar edhe Kosova.

SHBA dhe BE kanë thënë se institucioneve të Kosovës do t’u ofrojnë ndihmë për ndriçimin e plotë të rastit dhe për nxjerrjen e përgjegjësve para drejtësisë

(r.m.)