Vuçiq: Serbia kurrë nuk ka kërkuar sanksione kundër Kosovës

Granada (Spanjë), 5 tetor 2023 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pretendon se Serbia “asnjëherë nuk ka bërë fushatë” për vendosjen e sanksioneve kundër Kosovës, në një përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj thirrjes së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për sanksionimin e Serbisë për dhunën në veri të Kosovës.
Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serb në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Në luftimet që pasuan në manastirin e fshatit, u vranë tre sulmues serbë.
Serbia i ka hedhur poshtë akuzat e Kosovës se ajo qëndron pas sulmit të cilësuar nga autoritetet kosovare si “tentim për ta aneksuar veriun e Kosovës”.
“Për dallim nga ata, ne nuk përpiqemi të konkurrojmë nëse Prishtinës apo dikujt tjetër do t’i ndodhë diçka e keqe. Nuk na keni dëgjuar kurrë duke bërë fushatë për sanksione ndaj tyre. Ne nuk jemi të interesuar për këtë, ne jemi të interesuar të kemi një jetë normale, që serbët në Kosovë ta kenë një jetë normale”, tha presidenti i Serbisë në Granada të Spanjës, ku po merr pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian.
Më herët gjatë ditës në Granada, Osmani tha se nuk ka arsye për ta takuar Vuçiqin, para se ndaj tij të vendosen sanksione për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.
Por më vonë ditën e njëjtë, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, tha se do të ulet “së bashku” me presidenten Osmani dhe presidentin Vuçiq në Granada.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Vuçiqi pretendoi se Serbia “kurrë nuk ka pasur qëllime për të sulmuar Kosovën dhe askënd tjetër në rajon”.
“Ajo që na nevojitet është një zgjidhje reale e bazuar në fakte dhe për të përmirësuar realisht procesin e negociatave, për të arritur një zgjidhje kompromisi dhe jo diçka për të cilën dikush mund të ëndërronte pa ofruar asgjë nga ana tjetër”, tha Vuçiq.
Përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare kërkojnë hetim urgjent për sulmin në Banjskë para institucioneve të drejtësisë në Kosovë.
Kosova ka njoftuar se do t’i kërkojë Serbisë ekstradimin e Millan Radoiçiqit, deri vonë kryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe serbe në Kosovë, i cili e mori përgjegjësinë për sulmin.
Kosova e akuzoi atë si organizatorin kryesor të sulmit të armatosur.
Më 3 tetor, ai u mor në pyetje në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd dhe u mbajt në paraburgim për 48 orë.
Pavarësisht kërkesës së Prokurorisë për 30 ditë paraburgim, Gjykata e Lartë e rrëzoi një kërkesë të tillë. Radoiçiq aktualisht është i lirë, por pa pasaportë dhe me një ndalim të theksuar posaçërisht për të shkuar në Kosovë.
Para drejtësisë serbe ai akuzohet për disa krime, por jo për vrasje.
(REL)