Vuçiq: Serbia nuk mund të nënshkruajë me Kosovën marrëveshje ndërkombëtare

Beograd, 19 mars 2023 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se ai nuk e ka nënshkruar aneksin për zbatimin e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën sepse, Serbia nuk mund të nënshkruajë me Kosovën marrëveshje ndërkombëtare juridikisht obliguese.

“Serbia është shtet i njohur ndërkombëtarisht, ndërsa Kosova nuk është” ka thënë ai, në një adresim për publikun serb lidhur me takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që u zhvillua të shtunën në Ohër, me ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian.

Sipas tij, nënshkrimi i një dokumenti të tillë do të nënkuptonte se Serbia e njeh shtetin e Kosovës.

“Askush nuk mund t’ia imponojë Serbisë obligimin për të njohur Kosovën. Serbia mund të punojë në zbatim, deri te vijat e kuqe”, ka thënë ai,

Vuçiq ka thënë se për Serbinë është e rëndësishme që është rënë dakord që “të zbatohet ajo që është arritur në dialog”, kur bëhet fjalë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Sipas tij, kryeministri i Kosovës, Kurti, në takim ka folur për “tri shtyllat” mbi të cilat duhet të bazohet Asociacioni, por Serbia nuk mund ta pranojë këtë, sepse për Asociacionin është dakorduar me Marrëveshjen e Brukselit.

“Asociacioni është i rëndësishëm, sepse serbët do të marrin një kornizë institucionale për veprim”, ka shtuar mes tjerash ai.

I pyetur nga gazetarët nëse do të lejojë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 18 mars se bëhet fjalë për “një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit serb” dhe “jo për vetëqeverisje”.

Kryediplomati evropian, Josep Borell, ka thënë të shtunën në Ohër se palët janë pajtuar të fillojnë zbatimin e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve midis dy vendeve, ndonëse nuk e kanë nënshkruar as atë.

Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

(r.m.)