Vuçiq: Serbia po përballet me presione të jashtëzakonshme dhe ky është vetëm fillimi

Beograd, 2 mars 2022 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se kriza e Ukrainës e godet “në mënyrë dramatike” Serbinë.

“”Kanë ndodhur ndryshime tektonike në skenën politike botërore. Disa e quajnë këtë rend të ri botëror ose e mbështesin këtë. Serbia gjendet në situatë jashtëzakonisht të vështirë, ndërsa në botë sot ka më pak se kurrë mirëkuptim për pozitën tonë”, ka thënë Vuçiq, të mërkurën.

“Nuk është e lehtë dhe e thjeshtë të shpjegohen lidhjet ndërmjet politikës dhe  ekonomisë, presionet me të cilat po përballemi dhe gjithë ajo që pritet të ndodhë. Prej ditës së premte kanë ndodhur ndryshime të shumta. E gjithë bota është bërë e ndryshme për tri, katër, pesë ditë. Tashmë asgjë nuk është siç ishte”, është shprehur ai.

Vuçiq ka thënë se sot Serbia e ka votuar Rezolutën e Asambesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për Ukrainën, por ka tërhequr vërejtjen se në rezolutë nuk përmenden fare sanksionet.

“Serbia sot i është bashkuar dënimit të sulmit në Ukrainë në Kombet e Bashkuara, Nuk kemi guxuar të heshtim për shkak të historisë. Në tekst nuk përmenden kurrfarë sanksionesh”, ka thënë ai.

Vuçiq ka thënë se Serbia po përballet me “presione të jashtëzakonshme” dhe ka theksuar se “ky është vetëm fillimi”.

“Ky është rrënimi i rendit botëror ekzistues”, ka theksuar ai

Vuçiq ka thënë se sot Serbia gjendet para disa “kurtheve” politike. Në këtë kontekst ai e ka veçuar çështjen e Kosovës dhe lobimin për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në organizatat tjera ndërkombëtare.

“Pres që në periudhën që po vjen Serbia të gjendet para disa kurtheve politike. Keni parë se disa njerëz në rajon bëjnë gjithçka për ta rrënuar Serbinë. Keni parë se shqiptarët (reference për Kosovën) kanë bërë kërkesë që të bëhen anëtarë të NATO-s dhe për këtë e kanë marrë edhe mbështetjen e Turqisë. Planifikojnë që në bazë të nenit 6 të Kartës së Kombeve të Bashkuara të shqyrtohet përjashtimi i Rusisë nga Kombet e Bashkuara dhe të krijohet hapësirë që të ushtrohet presion ndaj Kinës për të ndryshuar Rezolutën 1244, në mënyrë që ne të mos kemi më bazë juridike të thirremi në të drejtën ndërkombëtare për mbrojtjen e integritetit territorial. Pastaj do të vijojë njohja e pavarësisë së Kosovës nga vendet e NATO-s dhe BE-së që deri më tash nuk e kanë bërë këtë. Kjo është ideja e lobistëve shqiptarë dhe kemi dëgjuar se si ata ua prezantojnë këtë përfaqësuesve ndërkombëtarë. A është kjo e mundur apo jo, sinqerisht, nuk e di. Por, nuk e përjashtoj këtë mundësi. Shumëçka kam menduar se nuk është e mundur, por këto ditë u pa se qenka e mundur”, është shprehur Vuçiq.

“Tashmë asgjë nuk është e pamundur në botën e tillë”, ka theksuar ai.

Duke u përgjigjur në pyetjen nëse Serbia përballet me rrezikun e heqjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE, Vuçiq ka thënë se asnjë zyrtar i BE-së nuk ia ka thënë këtë, por nuk e ka përjashtuar mundësinë që kjo të përdoret për të ushtruar presion ndaj Serbisë.

Presidenti i Serbisë ka thënë se të mërkurën në mbrëmje do të publikohen masat e reja për përballimin e situatës në të cilat gjendet vendi.

(Sipas Euronews.rs)