Beograd, 27 mars 2024 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë një deklaratë dramatike. Ai ka thënë se Serbinë “e presin ditë të vështira” dhe ka paralajmëruar se në 48 orët e fundit pret të marrë lajme që është vështirë t’i komunikohen publikut në Serbi. Ai ka thënë se zhvillimet e fundit politike përbëjnë kërcënim për “interesat nacionale” të Serbisë dhe të Republikës Srpska, në Bosnjë e Hercegovinë.
“Serbinë e presin ditë të vështira. Në këtë moment nuk është e lehtë të thuhet se çfarë lajmesh kemi marrë dhe do të marrim në 48 orët e fundit. Ato kërcënojnë drejtpërdrejt interesat jetike kombëtare, si të Serbisë ashtu edhe të Republikës Srpska”, ka shkruar Vuçiq në profilin e tij në Instagram.
“Do të jetë e vështirë, më së vështiri deri më tani”, ka theksuar Vuçiq.
Megjithatë, ai ka thënë se Serbia nuk do të dorëzohet, por “do të luftojë” dhe “do të fitojë”.
“Ne do të luftojmë. Serbia do të fitojë”, ka theksuar Vuçiq.
Këtë deklaratë Vuçiq e ka bërë para mbledhjes së Komisionit Politik të Këshillit të Evropës, ku do të votohet raporti i raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis, në të cilin rekomandohet pranimin i Kosovës në këtë organizatë.
President i Serbisë ka dhënë shpesh deklarata të tilla me tone dramatike, për ta paraqitur pastaj veten si “shpëtimtarin” e Serbisë.
(r.m.)